Një 27-vjeçar u arrestua nga policia pas një hetimi pasi dyshohet se përndoqi një shtetase për disa muaj dhe mbante municion luftarak në banesë.
Policia ka sekuestruar sasi të municionit luftarak që u gjet në banesën e tij.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të tyre, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cross road”, të ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Në kuadër të tij u bë ndalimi i shtetasit A. C., 27 vjeç, banues në Shijak, Durrës.
Ky shtetas dyshohet se ka përndjekur një shtetase, për disa muaj. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Shijak, shërbimet e Policisë gjetën një sasi municioni luftarak, të cilin e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.