Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të 10-mujorit, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 18.8 miliardë lekëve, në rritje me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja u ngadalësua më tej nga niveli prej 9.85% i fundit të 9-mujorit, ndërkohë që në fund të 6-mujorit rritja kishte qenë dyshifrore, në nivelin 13%.
Vlerësohet se ngadalësimi i rritjes së tregut të sigurimeve i detyrohet kryesisht faktorëve statistikorë, kryesisht mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit me Euron.
Sipas të dhënave të AMF-së, për gjysmën e parë të këtij viti afërsisht 34% e primeve të shkruara bruto në sigurime ishin të llogaritur në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Duke qenë se statistikat raportohen në Lekë, forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit ka dhënë një efekt negativ në vlerën e primeve të shkruara në valutë të huaj.
Përtej efektit negativ të kursit të këmbimit, ecuria organike e tregut këtë vit është përgjithësisht pozitive për shumicën e produkteve të sigurimit.
Norma e rritjes është e përafërt në të dy segmentet kryesore të tregut. Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës u rritën me 9.7%, ndërsa në atë të sigurimit të jetës me 9.4%.
Tregu i Jo-Jetës vazhdon të dominojë, me pothuajse 92% të primeve të shkruara bruto. Megjithëse vazhdon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorike, këtë vit në tregun e Jo-Jetës po shënohet një rritje e lehtë e peshës së produkteve të sigurimit vullnetar.
Sigurimi i pronës nga katastrofat ngelet produkti kryesor i sigurimit vullnetar, me 10.8% të primeve të shkruara bruto, nga 10.1% që zinte një vit më parë. Vijon sigurimi KASKO i automjeteve, me 7.2% të primeve, nga 6.7% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke qenë se një pjesë e mirë e produkteve vullnetare kanë prime të llogaritur në valutë, edhe masa e rritjes së tyre është ngadalësuar në muajt e fundit.
Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen megjithatë dominuese në tregun e Jo-Jetës. Në fund të 10-mujorit, ato përbënin 65.9% të primeve të shkruara bruto, nga 67.4% që zinin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e peshës së sigurimeve të detyrueshme motorike ka ardhur kryesisht nga rritja e dobët e primeve për produktet e Kartonit Jeshil dhe Policës Kufitare.
Duke qenë se të dyja këto produkte shiten në Euro, edhe në këtë rast vlerësohet se një ndikim negativ ka dhënë kursi i këmbimit. Sidoqoftë, edhe sigurimi i brendshëm motorik TPL ka shfaqur rritje disi më të ulët se mesatarja e tregut, duke bërë që pesha e tij specifike të zbresë.
Nga ana tjetër, dëmet kanë shënuar një rritje më të shpejtë gjatë muajit tetor dhe në fund të 10-mujorit rritja e tyre arriti në 7.8%, nga afërsisht 3% që kishte qenë deri në fund të 9-mujorit. Për10-mujorin, dëmet e paguara bruto kishin vlerën e 5.7 miliardë lekëve.
Rritja e dëmeve ka ardhur na tregu i sigurimit të Jo-Jetës dhe nga Fondi i Kompensimit i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve.
Struktura e dëmeve në tregun e Jo-Jetës vazhdon të dominohet nga sigurimet e detyrueshme motorike, me 62.7% të dëmeve të paguara bruto nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektual e Monitor