Konflikti për pronat në zonën e Kepit të Rodonit, në Njësinë Administrative Ishëm në Durrës, kanë vijuar edhe ditën e enjte, më datë 7 dhjetor 2023.
Denoncimi ka ardhur nga Ana Shtjefni, ish-pronarja e firmës “Albania Turist Resort”, e cila ka pasur në administrim zonën e Kepit të Rodonit, së bashku me lokalet dhe zonën e plazhit.
Por, pas një konflikti, Kisha Françeskane i ka prishur kontratën dhe zonën ia ka besuar disa personave, mes të cilëve edhe ish-deputeti Mark Frroku.
Disa ditë më parë, pati një konflikt, deri në përdorimin e armëve mes përfaqësuesve të Frrokut dhe banorëve, teksa një person është ende në kërkim.
Tetë vetë u arrestuan dhe u liruan pas 72 orëve. Ata po hetohen në gjendje të lirë. Por, nga informacionet që ka siguruar redaksia e Boldnews.al, ka rezultuar se konflikti vijon ende sot e kësaj dite.
Në video, denoncuesja Ana Shtjefni ka filmuar një përfaqësues të Kishës Françeskane, N.Sokoli me sëpatë në dorë
Denoncuesja Ana Shtjefni ka filmuar disa persona, mes të cilëve edhe rojtarin N.Sokoli me sëpatë në dorë.
Sipas saj, ky person ka tentuar që të qëllojë me këtë mjet të mprehtë atë dhe shoqëruesit e saj. Ndërkohë, menjëherë është lajmëruar Policia e Ishmit, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe po bën ekspertimet e nevojshme. Konflikti është në vijim e sipër se kush do ta kontrollojë Kepin e Rodonit. Në zonë janë parë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga të gjitha palët.
Por, krahas çështjes së pronësisë, në atë zonë ka edhe një konflikt mes znj. Ana Shtjefni dhe personave të autorizuar së fundmi nga Kisha.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bold News