Procedura për ndërtimin e një institucioni për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve me një fond limit prej 1.94 miliardë lekë apo rreth 18 milionë euro i Ministrisë së Drejtësisë ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.
Duket se një nga subjektet pjesëmarrëse në garë nga katër në total nuk ka qenë dakord me vlerësimin e bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duke kërkuar që të rishikohet kjo pikë.
Ankimimi i hedhur në sistem në datë 6 dhjetor përcakton se pikërisht vlerësimi është faza e mosdakordësisë teksa Ministria më herët në datë 24 nëntor ka njoftuar në faqen Agjencisë së Prokurimit Publik për shpalljen e ofertës fituese. Sipas të dhënave të publikuara në këtë njoftim kompania fituese ka dhënë një ofertë prej 1.75 miliardë lekë teksa ankimuesi 1.88 miliardë lekë.
“Informojmë BOE “4 A-M” shpk dhe “ED KONSTRUKSION” shpk me adresë Rruga “Artan Lenja” Pallati i 4 A-M, Apartamenti A 1, kati i i-rë, Tiranë, se oferta e paraqitur me vlerë totale prej 1,751,539,696 ( një miliard e shtatëqind e pesëdhjetë e një milion e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH është identifikuar si fitues (paraprak) i procedurës së prokurimit” thuhet në njoftimin e Ministrisë teksa ankimuesi është bashkimi i kompanive RAFIN shpk, UDHA dhe NDREGJONI.
Projekti për institucionin
Në relacionin arkitektonik të Ministrisë jepen detaje mbi këtë projekt. Sipas tij prona ndodhet pranë aksit rrugor Tiranë – Qendra administrative Kashar ( rreth 7 km larg qendrës së Tiranës), në afërsi të zonave të banuara. Rruga hyrëse për në pronë është e pa asfaltuar dhe konstatohen dëmtime të shtresave rrugore ekzistuese, ka një largësi prej 150 ml nga rruga e asfaltuar e zonës së banuar.
Aktualisht në ketë pronë ndodhen disa godina të ish repartit ushtarak por të cilat vlerësohen shumë të amortizuara dhe të papërshtatshme për rindërtimin e tyre në funksion të Institucionit të kufizimit të lirisë për të mitur
“Programi i organizon funksionet në mënyrë që instituti të funksionojë si një kompleksi shpërndarë me hapësira rekreative. Kompleksi përbëhet nga modulet e fjetjes, për kategoritë: femra, meshkuj, te dënuar me regjim te mbyllur, 18-21 vjeçar, nga administrate ne hyrje te kompleksit, e cila përfshin zyrat e nevojshme si dhe sallat e mbledhjes apo te gjyqit. Gjithashtu objekt qe përfshihet ne institute është qendra polifunksionale me ambientet sportive te mbyllura, mensa, qendra shëndetësore, biblioteka dhe hapësira takimi me prindërit”, thuhet në relacion.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor