Ligjvënësit rusë caktuan të enjten datën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, 17 marsin, duke e sjellë kështu Vladimir Putinin një hap më pranë mandatit të tij të pestë.
Anëtarët e Këshillit të Federatës, dhoma më e lartë e parlamentit rus, votuan unanimisht dekretin për caktimin e datës.
“Në thelb, ky vendim shënon fillimin e fushatës elektorale”, tha Valentina Matviyenko, kryetare e Këshillit të Federatës. Komisioni qendror i zgjedhjeve pritet të mbajë të premten një takim për fushatën zgjedhore.
Zoti Putin, tashmë në moshën 71-vjeçare, nuk ka njoftuar ende synimin për të rikandiduar, por pritet ta bëjë këtë në ditët në vazhdim.
Sipas reformave kushtetuese të mundësuara prej tij, ai mund të ketë dy mandate të tjera gjashtëvjeçare, pas përfundimit të mandatit aktual vitin e ardhshëm, duke patur kështu mundësinë e qëndrimit në pushtet deri në vitin 2036.
Duke qenë se ka vendosur kontroll të plotë mbi sistemin politik rus, fitorja e zotit Putin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është e sigurtë. Kritikët që mund ta sfidonin me kandidimin në zgjedhje gjenden në burgje ose në azil jashtë vendit dhe shumica e mediave të pavarura janë shpallur të paligjshme.
As lufta e zgjatur dhe e kushtueshme në Ukrainë dhe as rebelimi i dështuar në verë i shefit të mercenarëve Yevgeny Prigozhin nuk duket se ndikuan tek niveli i mbështetjes së publikut në anketime.
Nuk është ende e qartë se kush do ta sfidojë zotin Putin në zgjedhje. Udhëheqësi i burgosur opozitar Alexei Navalny u bëri thirrje të enjten mbështetësve të tij nëpërmjet një deklarate në internet, që të votojnë çdokënd tjetër, përveç Putinit.
“Putini i shikon këto zgjedhje si një referendum për të miratuar veprimet e tij. Një referendum për miratimin e luftës. Le t’ja prishim planet dhe të mundësojmë që më 17 mars askush mos të jetë i interesuar për rezultatin e manipuluar, por që e gjithë Rusia ta shikojë dhe ta kuptojë: Vullneti i shumicës është që Putini duhet të largohet”, thuhet në deklaratë.
Dy persona kanë njoftuar se do të kandidojnë: ish-deputeti Boris Nadezhdin, i cili është tashmë anëtar i këshillit të rajonit të Moskës, si dhe Yekaterina Duntsova, gazetare dhe juriste nga rajoni Tver në veri të Moskës, ish-anëtare e legjislaturës vendore.
Aleatët e Igor Strelkovit, një nacionalist i linjës së ashpër që ka akuzuar zotin Putin për dobësi dhe pavendosmëri në lidhje me Ukrainën, kanë përmendur ambicien e tij për të kandiduar, por akuzat e ngritura ndaj tij për ekstremizëm nga autoritetet ruse e bëjnë ndoshta të pamundur kandidimin e tij.
Zoti Strelkov, ish-oficer i shërbimeve të sigurisë që udhëhoqi separatistët e mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore në vitin 2014 dhe që është dënuar për vrasje në Holandë për rolin e tij në rrëzimin atë vit të avionit të pasagjerëve të kompanisë Malaysia Airlines, e ka kritikuar zotin Putin si “joekzistent” dhe një “frikacak mediokër”. Ai u arrestua në korrik dhe vazhdon të mbahet në burg. Nëse dënohet, mund të përballet me pesë vite burgim.
Regjistrimi si kandidatë për zotin Nadezhdin dhe zonjën Duntsova mund të rezultojë i vështirë. Nëse emrat e tyre nuk propozohen nga një nga pesë partitë politike që kanë deputetë në Duma, dhomën e ulët të parlamentit, atyre do t’u duhet të mbledhin mijëra firma në rajone të ndryshme.
Sipas legjislacionit zgjedhor rus, kandidatët e propozuar nga parti që nuk përfaqësohen në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus, që njihet si Duma Shtetërore, apo në të paktën një të tretën e legjislaturave rajonale, duhet të paraqesin të paktën 100 mijë firma nga 40 apo më shumë rajone. Personave që kandidojnë të pavarur pa mbështetjen e ndonjë partie u duhet një minimum prej 300 mijë firmash nga 40 apo më shumë rajone.
Këto kufizime vlejnë edhe për zotin Putin, i cili ka përdorur taktika të ndryshme gjatë viteve. Ai kandidoi si i pavarur në vitin 2018 dhe firmat u mblodhën nga punonjësit e fushatës së tij elektorale. Në vitin 2012, ai kandidoi si i propozuar nga partia Rusia e Bashkuar dhe nuk pati nevojë për të mbledhur firma.
Të paktën një parti – partia Një Rusi e Drejtë, e cila ka 27 deputetë në Duman prej 450 deputetësh – është e gatshme të propozojë zotin Putin si kandidat. Udhëheqësi i saj, Sergei Mironov, deputet i hershëm dhe mbështetës i fortë i zotit Putin, u njoftua nga agjencia e lajmeve Interfax të ketë thënë të enjten se partia e tij e ka marrë vendimin muaj më parë dhe se do të propozojë zotin Putin gjatë kongresit të saj më 23 dhjetor, qoftë edhe nëse zoti Putin vendos të kandidojë si i pavarur.
Nuk është e qartë nëse Kremlini do të jetë dakort me këto plane. Shërbimi i shtypit i kësaj partie i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se vendimi është i partisë dhe Kremlini nuk komentoi për këtë.
Ka më shumë gjasa që zoti Putin të kandidojë si i pavarur, tha analisti i pavarur politik Dmitry Oreshkin. “Do të ishte nder i tepruar për një parti; ai e konsideron veten shumë më lart. Prandaj mendoj se do të kandidojë si i pavarur dhe se ndoshta do mbledhë firma. Ky do të jetë një pretekst i mirë për të nxitur fushatën nëpër rajone”.
Zoti Oreshkin, profesor në Universitetin e Lirë në Riga të Letonisë, mendon se në fletët e votimit do të figurojë zoti Putin dhe disa kandidatë të tjerë më pak popullorë, si p.sh. udhëheqësi i hershëm i Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov apo zoti Nadezhdin.
Komisioni qendror i zgjedhjeve synon të organizojë krahas votimit tradicional në letër edhe votimin elektronik në rreth 30 rajone të Rusisë dhe po shqyrton mundësinë e zgjatjes së procesit të votimit në tre ditë një praktikë kjo që u përdor gjatë pandemisë dhe që u kritikua gjerësisht nga vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve.
Këto masa, krahas kufizimeve ndaj vëzhgimit të zgjedhjeve të vendosura vitet e fundit, do të kufizojnë së tepërmi mundësinë e vëzhguesve të pavarur, thotë Stanislav Andreychuk, bashkëkryetar i grupit Golos, një organizatë e pavarur vëzhguesish të zgjedhjeve.
Zoti Andreychuk i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se vetëm kandidatët e regjistruar, ose entiteti këshillimor i mbështetur nga shteti, Dhomat Qytetare, mund të caktojnë vëzhgues në qendrat e votimit, duke ulur kështu gjasat për vëzhgues vërtet të pavarur. Ka shumë pak transparencë për votimin elektronik dhe nëse votimi zgjat për tre ditë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të monitorohen gati 100 mijë vendvotime në mbarë vendin – për të mos përmendur monitorimin që votat të mos tjetërsohen gjatë natës, tha ai.
“Monitorimi i rregullt (në qendrat e votimit) përbën problemin më të madh tashmë”, tha zoti Andreychuk.
“Por ne do të punojmë sidoqoftë”, tha ai për organizatën Golos, duke shtuar se do të monitorojnë përgjatë gjithë fushatës elektorale dhe do të mbështesin aktivistët që do të shkojnë në qendrat e votimit ditët e votimeve.
Analisti Oreshkin thotë se votimi do të jetë më shumë “një ritual” se sa një proces konkurues zgjedhor, shkruan VOA.
“Ky ritual elektoral, ky rit elektoral ka domethënie të madhe për Putinin dhe ekipin e tij. Është i rëndësishëm pasi mat besnikërinë e elitave rajonale dhe shërben si tregues nëse sistemi funksionon”, tha ai.