Vendosni fjalën kyçe....

15 urdhërarreste për inceneratorin e Tiranës, 6 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ndaluar


SPAK iu deshën thuajse 3 vite hetime për të firmosur 15 masa sigurisë në lidhje me skandalin e inceneratorit të Tiranës, ku në mesin e arrestuarve janë zyrtarë të lartë në Bashkinë e Tiranës, si dhe ata që firmosën koncesionin më vlerë 128 milionë euro. Për biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të cilët janë aktualisht në arrati, gjykata firmosi një masë shtesë sigurie arrest me burg për korrupsion, pastrim parash dhe mashtrimit me pasoja të rënda.

Taulant Tusha, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Tiranë dhe Namik Simixhiu, zyrtar I lartë në këtë institucion, së bashku me Bledar Karolin dhe Jetmir Llapaj u arrestuan mbrëmjen e së premtes. Ish-ministri I mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako u njohën në qeli me akuzat e reja.

Në masë sigurie arrest shtëpie u lanë Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se Lefter Koka në cilësinë e ministrit të Mjedisit ne bashkëpunim me vartësit e tij, në kundërshtim me ligjin, ka propozuar dhënien e bonusit prej 8 për qind të pikëve bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”.

Ky bonus thekson SPAK iu dha kësaj kompania, në një kohë që ende nuk ishin sqaruar kostot e projektit.

Hetimet kanë zbuluar se biznesmeni Klodian Zoto ishte në dijeni të rrethanave konkurruese, përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit, falë ndihmës dhe favorizimit nga zyrtarët e ministrisë së Mjedisit dhe anëtarët e komisionit të koncesionit, shlruan Balkan Web.

SPAK thekson se zyrtarët e kanë pajisur shoqërinë ne fjalë me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.

Zyrtarët akuzohen se kanë kryer shkelje të ligjit, përderisa nuk kanë hartuar dhe miraruar dokumentet standarde të koncesionit, si dhe nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e këtyre dokumenteve.

Hetimi ka zbuluar se dokumentet në fjalë janë hartuar nga punonjësit e biznesmenit Klodian Zoto, I cili ua ka dërguar zyrtarëve të ministrisë dhe më pas këta të fundit I kanë ngarkuar në sistemit elektronik.

SPAK thekson se rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

“Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti”, thekson prokuroria. Në kuadër të hetimeve, është provuar se Alqi Bllako ka përfituar ryshfet nga biznesmeni I inceneratorëve Klodian Zoto, I cili I ka paguar blerjen e disa makinerive për biznesin e familjarëve të tij.

SPAK ka provuar po ashtu se pronarët de facto të inceneratorit të Tiranës janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët janë edhe përfituesit real të kontratës koncesionare. SPAK thotë se biznesmenët në fjalë përmes faturave të falsifikuara kanë përfituar miliona, para të cilat i janë transferuar jashtë vendit, ose I kanë tërhequr cash. Në fund, theksohet se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kanë shkelur ligjin në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundore të kompanisë koncesionare.