Vendosni fjalën kyçe....

Bitcoin mund të thyejë rekordin e të gjitha kohërave brenda 2024-ës


Kriptomonedha kryesore Bitcoin pritet të vijojë rritjen edhe në vitin 2024 dhe mund të arrijë nivelet më të larta të të gjitha kohërave prej mbi 100,000 dollarë për një token, raportoi CNBC këtë javë, duke cituar analistët e industrisë.

Aseti dixhital është rritur më shumë se 160% këtë vit, duke u tregtuar mbi 44,200 dollarë të shtunën, krahasuar me 16,500 dollarë në fillim të vitit.

“Ndjehet se viti 2023 ishte një vit për t’u përgatitur për rendjen që nuk ka ardhur ende. Por ndjenja është shumë shpresëdhënëse për vitet 2024 dhe 2025, citohet të ketë thënë kreu i ‘Ledger’, Pascal Gauthier.

Bitcoin arriti një rekord prej afro 69,000 dollarë në nëntor 2021. Megjithatë, vitin e kaluar afro 1.4 trilion dollarë u fshinë nga tregu i kriptove mes falimentimeve në sektor.

Kriza u udhëhoq nga rrënimi i FTX, shkëmbimi i dytë më i madh i kriptove në botë në kohën e falimentimit, me themeluesin e tij Sam Bankman-Fried tani që përballet me mbi 100 vjet burg, pasi u shpall fajtor për shtatë akuza për mashtrim kriminal.

Për të shtuar problemet e sektorit të kriptove, muajin e kaluar shefi i Binance Changpeng Zhao u deklarua fajtor për akuza penale dhe dha dorëheqjen si drejtues i kompanisë si pjesë e një marrëveshjeje prej 4.3 miliardë dollarësh me Departamentin e Drejtësisë të SHBA. Ish-kreu i shkëmbimit më të madh të kriptove në botë përballet me dhjetë vjet burg për pastrim parash.

Ekspertët thonë se ‘përgjysmimi’ i ardhshëm i Bitcoin – një mekanizëm për të kufizuar furnizimin – i cili zhvillohet çdo katër vjet dhe është planifikuar për në fund të prillit 2024, do jetë një tjetër burim i rritjes së çmimit.

“Një numër pjesëmarrësish në treg presin një rritje disa kohë pas përgjysmimit, por duke pasur parasysh lajmet e ETF (Fondi i Tregtueshëm në Shkëmbim), ne mund të kemi një ecuri përpara kësaj duke lënë mënjanë shumicën e investitorëve. Kjo mund të shkaktojë një rritje të madhe të çmimit”, tha për CNBC Vijay Ayyar, nënkryetar i tregjeve ndërkombëtare në shkëmbimin e kriptomonedhave CoinDCX.

Muajin e kaluar, Banka Standard Chartered përsëriti parashikimin e saj të prillit se Bitcoin do arrinte 100,000 dollarë deri në fund të vitit 2024, ose edhe më herët.

“Tani presim më shumë rritje të çmimit të materializohen përpara përgjysmimit sesa kemi bërë më parë, veçanërisht nëpërmjet prezantimit më herët se sa pritej të ETF-ve spot amerikane. Kjo sugjeron një rrezik që niveli i 100,000 dollarëve mund të arrihet përpara fundit të vitit 2024,” tha banka.