Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i dy policëve në Rinas, reagon Balla: Vetëpastrimi do të jetë sistematik


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me arrestimin e dy punonjësve të policisë në Rinas, nën akuzën e korrupsionit.

Përmes një reagimi Balla thekson se vijon procesi i vetëpastrimit në radhët e policisë, duke thënë se ka shkuar në 14 në vetëm 2 javë numri i rasteve të goditura lidhur me këtë proces.

“Vijon procesi i vetë-pastrimit në Policinë e Shtetit. Falë punës së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore gjatë natës së mbrëmshme janë arrestuar dhe vendosur përpara përgjegjësisë penale dy inspektorë të Policisë Kufitare për veprime korruptive ndaj qytetarëve, duke i çuar në 14 rastet e goditura në dy javët e fundit në një proces vetëpastrimi i radhëve të Policisë, i cili do të jetë sistematik.

Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese në këtë drejtim është kritik, rritja e besimit dhe bashkëpunimi me qytetarët është busulla jonë orientuese për një Shqipëri më të sigurt dhe të qetë falë punës dhe përkushtimit të gardianëve të ndershëm dhe profesionistë të zbatimit të ligjit.

Falenderoj të gjithë ata qytetarë, si në rastin e dy kontrollorëve të kufirit, të cilët kanë raportuar apo ndarë me ne ankesat e tyre për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Ligjin dhe me Kodin Etik në Policinë e Shtetit.”, thuhet në reagimin e Ballës.