Vendosni fjalën kyçe....

Mediu pas dëshmisë në gjykatë: Kam zbatuar ligjin, raportova ndërhyrje të paligjshme nga kompania


Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, tha pas daljes nga Gjykata e Posaçme ku dëshmoi në seancën ndaj tij lidhur me shpërthimin në Gërdec, se e vërteta do dalë dhe se ka vepruar duke zbatuar ligjin.

Ai pohoi se vendi i demontimit nuk ishte zgjedhur prej tij dhe se ka lajmëruar asokohe për një ndërhyrje të paligjshme nga ana e kompanisë demontuese për prishjen e një godine.

Po kështu Mediu theksoi se do jetë në çdo seancë gjyqësore.

“Dua të dalë e vërteta për procesin. U provua se Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, për detyrimet e BE dhe të plotësimit të akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile dhe ato ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri i Mbrojtjes. I vura dhe sot një dokument të policisë ushtarake, që kishte nisur kompania të niste shembjen e paligjshme të godinës. Do të paraqitem në çdo seancë. Ky demontim ishte çështje sigurie apo e kërkesave të partnerëve tanë?! Kërkesa e kompanisë amerikane ka qenë e vlerësuar sipas procedurave dhe më pas se si u përzgjodh vendimi i demontimit. S’kam bërë as më shumë dhe as më pak se detyrën time. Dua të sqaroj një herë e përgjithmonë se për transportin, e thotë rregullorja. Në ministrinë e Mbrojtjes transporti është bërë nga forcat e armatosura të armatimeve. Do të jem në çdo seancë që trajtohet çështja e Gërdecit. Në muajin maj më është raportuar për ndërtim të paligjshëm në Gërdec. Po flas qartë, kompania kishte bërë shkelje. Ky vjen si shqetësim i Policisë Ushtarake, dhe nuk e vendos unë gishtin e akuzës. Nuk ka një akt që të kem neglizhuar.” – tha Mediu.