Tabelat e buxhetit faktik të vitit 2022, të cilat janë miratuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë tregojnë se shpenzimet totale buxhetore ishin 667,1 miliardë lekë, por nga verifikimi që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) i ka bërë sistemit të thesarit ka gjetur se, fatura reale e shpenzimeve regjistruar ishte 696,8 miliardë lekë ose 26,8 miliardë lekë (260 mln euro) më shumë se në tabelat e buxhetit faktik.
Për rrjedhojë deficiti buxhetor sipas thesarit është më i lartë se ai që Ministria e Financave ka raportuar në treguesit final të realizimit të buxhetit 2022.
Sipas buxhetit faktik deficiti buxhetor në vitin 2022 u mbyll në -83,8 miliardë lekë, por në llogarinë e thesarit deficiti buxhetor rezulton -159,9 miliardë.
Inspektorët e KLSH -së gjatë auditimit kanë krahasuar planin e buxhetit miratuar me Aktin Normativ nr.19 i fundit me (29/12/2022), si dhe planin operativ me planin e hedhur në SIFQ (sistemin e thesarit) për zërat sipas treguesve fiskal.
Nga krahasimi i të dhënave, KLSH ka evidentuar se, nga plani i buxhetit i miratuar në fund të vitit konstatohet se ka diferenca të shumta me planin e ngarkuar në SIFQ (thesar) nga strukturat përkatëse sipas rastit.
KLSH vëren se, raportet e ndërtuara dhe ofruara nga thesari për qëllime të planifikimit buxhetor nuk përdoren nga Drejtoria e Buxhetit si një mënyrë për të kontrolluar saktësinë e detajimit të buxhetit fillestar dhe më pas atij operativ, mundësi këto që sistemi SIFQ ofron për të bërë të gjithë kontrollet e mundshme të regjistrimeve e deri te analizat e nevojshme për monitorimin e zbatimit të buxhetit.
Nga auditimi i planit të buxhetit të miratuar me Aktin Normativ nr. 19, datë 29.12.2022 dhe planit operativ sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit me planin e hedhur në SIFQ për zërat sipas treguesve fiskal janë konstatuar diferenca në pothuajse të gjithë zërat e shpenzimeve në rreth 26.8 miliardë lekë (shiko tabelën e mëposhtme).
“Diferencat e evidentuara në tabelën fiskale të gjeneruar nga SIFQ me atë të miratuar në ligj janë një tregues që raportet dhe formatet e standardizuara për ngarkimin e çeljeve apo detajimin buxhetor nuk kanë garantuar saktësinë e të dhënave” thuhet në raport.
Drejtoria e Buxhetit në Ministrinë e Financave ka dhënë disa shpjegime në KLSH në lidhje me këto diferenca të cilat nuk janë pranuar nga ekspertët e KLSH të cilët kishin siguruar të dhënat si nga thesari dhe Drejtoria e Buxhetit në Ministrinë e Financave.
KLSH raportoi se nga auditimi në Ministrinë e Financave rezultuan parregullsi në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keq- klasifikimin e investimeve, marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, problematika në lidhje me procesin e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor