Dhjetëra punonjës të aeroportit në ishullin Tenerife janë arrestuar nën dyshimin se kanë vjedhur sende me vlerë 2 milionë euro nga bagazhet e pasagjerëve.
Në pranga kanë rënë 14 punonjës. Aksioni i policisë nisi pas ankesave të bëra vazhdimisht nga pasagjerët.
Mes sendeve të vjedhura nga pasagjerët e kombësive të ndryshme ishin 29 ora luksoze, 22 telefona inteligjentë të teknologjisë së fundit dhe 120 bizhuteri.
Dyshohet se të arrestuarit, i kanë shitur nëpër dyqane të ndryshme sendet e vjedhura. 20 punëtorë të tjerë në aeroport dhe 27 dyqane bizhuterish në ishull janë gjithashtu nën mbikqyrjen e autoriteteve.
Mediat e huaja shkruajnë se se vjedhjet kanë ndodhur gjatë kohës që valixhet ishin duke u vendosur në bagazhin e avionit dhe punonjësit kanë hequr gjërat me vlerë duke i fshehur në xhepa të qepur brenda rrobave të tyre ose në dollapët e tyre në aeroport. Tenerife është aeroporti i shtatë spanjoll me numrin më të lartë të pasagjerëve që raportohet se i kalon 10 milionë persona në vit.