Vendosni fjalën kyçe....

Shkëlqejnë Seferi e Sadiku, sulmuesit shqiptarë, protagonistë jashtë Evropës


Taulant Seferi dhe Armando Sadiku luajnë larg atij që quhet “kontinenti i vjetër”, ndërsa u dalluan në sfidat e fundit.

Seferi, aktualisht titullar i kombëtares shqiptare, shënoi golin e radhës në Ligën Profesioniste të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sulmuesi 27-vjeçar pati një rrjetë ngushëllimi, pasi skuadra e tij, Banijas, u mund në shtëpi nga Al Shabab Al Ahli me shifrat 1-2.

Ky ishte goli i pestë i shqiptarit të Maqedonisë këtë sezon, duke pasur edhe 1 asist në 11 ndeshje.

Vlen të theksohet se Seferi ka qenë gjithmonë titullar, dhe thuajse gjatë gjithë kohës në fushë.

Armando Sadiku ndërkaq dha sërish kontribut në Ligën Profesioniste të Indisë.

Ekipi i tij, Mohun Bagan, fitoi jashtë fushe ndaj North First United me rezultatin 3-2 dhe sulmuesi veteran shërbeu asistin për golin e avantazhit të përkohshëm 2-1

Sadiku ka 3 gola dhe 1 asist në 7 ndeshje të Superligës së Indisë, duke qenë në gjysmën e kohës në formacion dhe duke luajtur gati gjysmën e minutave të mundshme.

Mohun Bagan arriti fitoren e 6-të në 7 ndeshje, dhe ka 19 pikë në vetëm 7 ndeshje, ndaj 20 të Goas në 8 ndeshje dhe të Keralës me 10 sfida të luajtura.