Votimi mbi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një pezullim të armiqësive në Gaza për të ofruar ndihma u shty të mërkurën për të tretën ditë me radhë.
Të enjten, 15 anëtarë të Këshillit pritet të votojnë për rezolutën, e cila fillimisht u shty të hënën. Teksti, i hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), bën thirrje për pezullimin urgjent të armiqësive për të lejuar qasje të sigurt dhe të papenguar humanitare dhe për hapa urgjente drejt një ndërprerjeje të qëndrueshme të armiqësive.
Duke riafirmuar se të gjitha palët në konflikt duhet t’u përmbahen detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar, ai kërkon gjithashtu që një mekanizëm mbikëqyrës i OKB-së të vendoset me shpejtësi.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, duke vrarë mbi 20,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur 52,586 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Sulmi izraelit e ka lënë Gazën në gërmadha me gjysmën e stokut të banesave të territorit bregdetar të dëmtuar ose shkatërruar, dhe gati 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.
Gati 1200 izraelitë janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa më shumë se 130 pengje mbeten në robëri.