Vendosni fjalën kyçe....

Basha tregon mungesën e sotme në Kuvend, mbështetje SPAK-ut: Standard që do ndiqet gjithmonë


Kreu i PD-së Basha sqaroi mungesën e tij dhe të deutetëve që e pasojnë në seancën e sotme në Kuvend ku socialistët miratuan heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Berisha.

Në një shënim në rrjetet sociale, ai bën me dije që në krye të herës së deputetët e PD-së mbështesin SPAK-un dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që kërkohet nga drejtësia, një standard që do ndiqet përherë, shton ai.

Basha shton se mungesa në seancën e sote vjen për shkak të pamundësisë së zhvillimit të seancave normale në parlament.

“Deputetët e PD mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha. Deputetët e PD nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha per t’i përdorur si argument për ti ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën.” – shkruan Basha.

Kreu i PD-së shton se shfaqja që jep dyshja Berisha-Rama çdo të enjte janë veprime që i shërbejnë qeverisë së dështuar e segmentit opozitar që kërkon t’i fshihet drejtësisë.

“Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama-Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare janë akte që i shërbejne një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar që së bashku përpiqen ti fshihen drejtësisë. PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për ti bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë.” – mbyll shënmin Basha.