Rudy Giuliani, ish avokat i ish-presidentit Donald Trump, ka paraqitur kërkesë për falimentim vetëm disa ditë pasi u urdhërua të paguante 148 milion dollarë pasi u gjet fajtor në një rast shpifjeje.
Ai u urdhërua të paguante shumën pasi një gjykatës zbuloi se ai kishte shpifur përd dy punonjës të zgjedhjeve në Xhorxhia për pretendime të rreme se ata kishin manipuluar votat në vitin 2020.
Regjistrimi tregon se ai i detyrohet miliona dollarë në tarifa ligjore dhe taksa të papaguara.
Një zëdhënës tha se masa nuk duhet “të jetë një surprizë për askënd”.
Në një deklaratë, zëdhënësi i zotit Giuliani, Ted Goodman, tha se “asnjë person nuk mund të kishte besuar në mënyrë të arsyeshme se [z. Giuliani] do të ishte në gjendje të paguante një shumë kaq të lartë ndëshkuese”.
Ai shtoi se depozitimi i falimentimit të së enjtes në Nju Jork do t’i jepte zotit Giuliani “mundësinë dhe kohën për të ndjekur një apel, duke siguruar transparencë për financat e tij nën mbikëqyrjen e gjykatës së falimentimit”.
Giuliani, 79 vjeç, tha në fillim të këtij viti se ai kishte vështirësi financiare për shkak të tarifave dhe shpenzimeve ligjore në rritje.
Javën e kaluar, një juri prej tetë personash e urdhëroi atë të paguante 20 milionë dollarë punonjësve të anketimit në Xhorxhia, Ruby Freeman dhe vajzës së saj Wandrea “Shaye” Moss.
Dyshja thanë se pretendimi i rremë i Giuliani se ata ngatërruan votat kishte një ndikim traumatizues në jetën e tyre. Zonja Freeman tha se ajo “gjithmonë duhet të jetë e kujdesshme” për shkak të frikës së vazhdueshme se ajo mund të njihet publikisht.
Zonja Freedom dhe zonja Moss u shpërblyen gjithashtu me më shumë se 16 milionë dollarë secila për shqetësim emocional. Një tjetër pagesë prej 75 milionë dollarësh si dëmshpërblim u urdhërua të ndahej mes tyre.
Duke iu drejtuar gazetarëve jashtë gjykatës pasi u urdhërua të paguante shumën, Giuliani tha: “Nuk jam penduar për asnjë gjë”.
Të mërkurën, një gjykatës e urdhëroi atë që të fillonte të paguante menjëherë dy gratë dhe shprehu shqetësimin se mund të mos zbatonte vendimin.
Është e paqartë se si do të ndikojë deklarata e falimentimit në pagesat, por ligji i falimentimit në SHBA nuk lejon zgjidhjen e borxheve që rrjedhin nga “dëmtimi me dashje dhe me qëllim të keq” të shkaktuar ndaj një pale tjetër.
Regjistrimi i falimentimit liston afro 20 kreditorë, duke përfshirë zonjën Freeman, Zonjën Moss dhe Hunter Biden që e paditën atë në shtator.
Kreditorë të tjerë përfshijnë Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (IRS), të cilit ai i detyrohet më shumë se 700,000 dollarë në tatimin mbi të ardhurat, dhe dy kompani softuerësh votimi që e paditën atë për pretendimet e tij të rreme për mashtrim zgjedhor.
Është përfshirë gjithashtu një firmë ligjore që ka përfaqësuar më parë z. Giuliani, Davidoff Hutcher & Citron LLP. Firma paditi zotin Giuliani për 1.4 milion dollarë tarifa ligjore të papaguara në shtator.
Giuliani ende përballet me një padi në Xhorxhia me akuza për shantazh dhe konspiracion, si dhe një padi prej 10 milionë dollarësh nga një ish-bashkëpunëtor i biznesit mbi pretendimet për ngacmim seksual.