Qeveria europiane e futbollit, UEFA ka bërë një reagim zyrtar në lidhje me vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që vendosi të njihte Superligën dhe të ndalonte UEFA-n të ndikonte në ndalimin e kompeticioneve të reja në futboll.
Në reagimin e saj UEFA thotë se mbetet e palëkundur në mbështetje të piramidës europiane të futbollit sepse do vazhdojë tu shërbejë interesave të gjera të shoqërisë.
“UEFA është njohur sot me vendimin e dhënë nga Gjykata Europiane e Drejtësisë për Superligën Europiane.
Ky vendim nuk nënkupton miratimin ose vërtetimin e të ashtuquajturës “Super ligë”, por përkundrazi thekson një mangësi para-ekzistuese në kuadrin e para-autorizimit të UEFA-s, një aspekt teknik që tashmë është njohur dhe trajtuar në qershor 2022.
UEFA ka besim në qëndrueshmërinë e rregullave të saj të reja dhe veçanërisht se ato janë në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret përkatëse europiane.
UEFA mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të mbështetur piramidën europiane të futbollit, duke siguruar që ajo të vazhdojë t’i shërbejë interesave më të gjera të shoqërisë. Ne do të vazhdojmë të formësojmë modelin europian të sportit së bashku me federatat kombëtare, ligat, klubet, tifozët, lojtarët, trajnerët, institucionet europiane, qeveritë dhe partnerët e saj.
Ne besojmë se piramida europiane e futbollit e bazuar në solidaritet, të cilën tifozët dhe të gjithë palët e interesuara e kanë shpallur si modelin e tyre të pazëvendësueshëm, do të ruhet nga kërcënimi i evazionit nga ligjet europiane dhe kombëtare”, thotë UEFA.