Vendosni fjalën kyçe....

Më shumë se 20,000 të vrarë në Gaza që prej 7 tetorit


Më shumë se 20,000 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës në luftën midis Izraelit dhe Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Militantët e Hamasit udhëhoqën një sulm ndaj Izraelit më 7 tetor që vrau më shumë se 1200 njerëz, sipas zyrtarëve izraelitë. Përgjigja e Izraelit – një bombardim i plotë i Gazës dhe një pushtim tokësor – ka vrarë pothuajse 1 në 100 njerëz në Rrip, shkruan WP.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha herët të premten se 20,057 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori.

Numri i vdekjeve është shumë më i lartë se në çdo konflikt në Gaza prej kohësh. Dhe është më i lartë se 15,000 palestinezë të vrarë në dhunën që pasoi luftën arabo-izraelite të vitit 1948, sipas Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave. Palestinezët e quajnë atë zhvendosje masive Nakba, ose “katastrofë”.

Neta C. Crawford, bashkëdrejtoreshë e Projektit Kostot e Luftës në “Universitetin Brown”, e cila gjurmon numrin e luftërave, tha se shkalla e vdekjeve në mesin e popullsisë ishte e ngjashme me atë të luftërave të shekullit të 20-të.

Numri i njerëzve të vrarë në Gaza që nga 7 tetori ka qenë një objekt diskutimi. Washington Post dhe media të tjera mbështeten në numrat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, siç bënë shumë institucione ndërkombëtare, organizata dhe organizma globalë para luftës. Ministria është treguar e besueshme historikisht, me qasje të drejtpërdrejtë në spitale dhe morgje. Ajo  lëshon certifikatat e vdekjes për palestinezët që jetojnë në enklavë.

Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë i kanë vënë në dyshim shifrat publikisht, megjithatë, duke argumentuar se atyre nuk mund t’u besohet sepse ministria kontrollohet nga Hamasi, të cilin të dy vendet e cilësojnë si grup terrorist.

“Të vetmet shifra që Izraeli dhe IDF [Forcat e Mbrojtjes së Izraelit] mund të vlerësojnë me një shkallë besimi janë numri i terroristëve të Hamasit të vrarë që nga sulmi i 7 tetorit,” tha një zyrtar izraelit këtë muaj, duke folur në kushte anonimiteti. Lufta e bën të vështirë numërimin e të vdekurve.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ndërpreu përditësimet e numrit të vdekjeve muajin e kaluar, duke përmendur ndërprerjet e komunikimit dhe mungesën e qasjes në spitalet e rrethuara, por më vonë rifilloi numërimin.