Vendosni fjalën kyçe....

Skena “blasfemuese” e lindjes së Jezusit me dy nëna zemëron konservatorët në Itali


Një skenë e Lindjes së Krishtit në kishë, e cila paraqet dy nëna të foshnjës Jezus, në vend të figurinave konvencionale të Marisë dhe Jozefit, ka ndezur zemërim mes katolikëve dhe politikanëve konservatorë në Itali.

Skenat e lindjes së Krishtit janë të njohura në vendin kryesisht katolik, por vitet e fundit ato janë zhytur gjithnjë e më shumë në luftëra kulturore, pasi shoqëria po bëhet më laike dhe multikulturore.

Prifti në Kishën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit, në Capocastello di Mercogliano, një fshat në provincën e Avellino-s rreth një orë me makinë në lindje të Napolit, ka mbrojtur përshkrimin e lindjes së Jezusit.

“Doja të tregoja me këtë skenë se familjet nuk janë më vetëm ato tradicionale”, tha At Vitaliano Della Sala për Reuters.

“Në famullitë tona shohim gjithnjë e më shumë fëmijë nga llojet e reja të familjeve që ekzistojnë dhe janë pjesë e shoqërisë sonë, fëmijë të personave të ndarë dhe të divorcuar, çifte homoseksuale, beqarë, nëna të reja.”

Ati Della Sala, i njohur në Itali për simpatinë e kauzave LGBT dhe ato të krahut të majtë, thotë se qëndrimi i tij është në përputhje me atë të Papa Françeskut, i cili këtë javë, në një vendim historik, lejoi priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks.

Por senatori Maurizio Gasparri, i partisë bashkëqeverisëse Forza Italia, tha se çerdhja LGBT “fyen të gjithë ata që kishin gjithmonë respekt dhe përkushtim për Familjen e Shenjtë”.

Grupi “Pro-Vita & Famiglia” (Pro-Life and Family) e quajti atë “të rrezikshëm, si dhe të turpshëm dhe blasfemues”.

Pro-Vita, e cila nisi një peticion në internet duke i bërë thirrje peshkopit të Avellino-s të ndërhynte, tha se skena e lindjes së Krishtit binte ndesh me mësimet e Kishës mbi familjen dhe legjitimonte prindërimin e të njëjtit seks dhe zëvendësimin e familjes tradicioale.

Peticioni deri më tani ka tërhequr më shumë se 21,000 nënshkrues.

Këtë javë, një senator nga partia Vëllezërit e Italisë së kryeministrit Giorgia Meloni propozoi një projektligj tjetër që do parandalonte drejtorët e shkollave të ndalonin aktivitetet me temë katolike, si shfaqjet e Krishtlindjeve ose krijimi i skenave të lindjes së Jezusit.