Vendosni fjalën kyçe....

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen një polak dhe një turk në Rinas


Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për një turk dhe një polak, të cilat janë vënë në pranga në kuadër të operacionit ‘Sundimi i Ligjit’. 

Për të dy do nisin procedurat e ekstradimit drejt Polonisë dhe Gjermanisë.

Gjatë operacionit u arrestuan Robert Chojnacki, 52 vjeç, banues në Poloni. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Varshava, pasi Gjykata Lokale e Poznan, Poloni, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Pjesëmarrja në grup kriminal” parashikuar nga legjislacioni penal polak;

Po ashtu në pranga ka rënë edhe O. O., 53 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Gjermani. Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata Lokale e Hildesheim, Gjermani, në vitin 2021, ka nxjerrë urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, parashikuar nga legjislacioni penal gjerman.

Interpol Tirana do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Polonisë dhe Gjermanisë.