Nga Edmond Arizaj
Politika e këtij viti, e tmerrshme. Pothuaj asgjë politike brenda vendit, çdo gjë partiake. Partizanë. Politika jashtë vendit bën paksa përjashtim, por edhe ajo vetëm në hijen e Ramës. Nëse s’ka Ramë, s’ka politikë. Mbytëse.
Drejtësia e këtij viti, ngushëlluese. Për herë të parë po goditet politika, për herë të parë “mjelësit” e parave publike po ndjejnë frikë, për herë të parë drejtësia nuk po trembet (të paktën hapur). Do ketë vallë një herë të dytë, të tretë, vazhdimësi? A ka ndërhyrje nga politika? A kanë fuqi “miqtë”, apo “miqtë e miqve” në ndryshimin e vendimeve, apo hetimeve? A bën vetëm tym dhe pak zjarr drejtësia e re? Dyshuese.
Media e këtij viti, e lënduar. Tek-tuk gazetarë të veçantë përpiqen të shpëtojnë ç’mund të shpëtohet nga profesioni, nga përdorimi a shpërdorimi (dhe duhen falënderuar përunjësisht), por presioni është i madh. Uroj shumë që thashethemet për gazetarët të mos zëvendësojnë ato për politikanët. Ankthioze.
Opozita e këtij viti, fatkeqe. Parti që pretendojnë se janë pasardhëse të fisnikërisë shqiptare dhe sot nuk nxjerrin dot një pinjoll me emër të mirë e të respektuar përballë një Berishe që nuk po dënohet as për ‘97, as për ‘98, as për ‘21, por për favorizime (karma, si Nexhmija që u dënua për kafetë), apo përballë një, një, një…nuk di çfarë epiteti t’i vendos Bashës, që pret cepave duke ngrënë byrek, ti bjerë PD në dorë. Dy herë fatkeqësi.
Ekonomia e këtij viti, si mbahet në këmbë?! Pa prodhim, pa punëtorë, pa krah pune, me zona të tëra djerrë, me të rinj që më shumë pinë se punojnë, me pensionistë që shtohen më shumë se rrogëtarë?! Import. Prodhojmë vetëm lakra, bajga dhe pallate-resorte-vila. Megjithatë rrogat rriten. Habitëse.
Emigrantët e këtij viti, shpresë. Të vetmit që japin, pa marrë e kërkuar gjë. Të vetmit nga ku shënojmë arritje të vërtetë në inteligjencë, karrierë, sport e arsim. Të vetmit që e duan vendin pa shpërblim. Të vetmit që mund të organizohen politikisht, pa u paragjykuar, sulmuar a nëpërkëmbur nga atdheu. Ëndërrimtare.