Një investitor që tashmë ka marrë statusin e investimit strategjik parashikon të zhvillojë një projekt 197 milionë dollarë tek Bulevardi i Ri në kryeqytet.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar këtë status për një periudhë 5 vjeçare. Investitori është një kompani e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Projekti i pagëzuar “The cliffs” (Shkëmbinjtë) parashikon zhvillimin e projekteve për turizmin si hotele struktura të tjera akomoduese, kazino dhe shërbime argëtuese.
“Projekti “The Cliffs” propozohet nga grupi i investitorëve të huaj Adriatic Resorts LLC, kompani e së drejtës amerikane me adresën zyrtare në Cheyenne, WY, USA, ortake e vetme e Adriatic Resorts Holding UK Limited, shoqëri e së drejtës angleze, me numër kompanie 14320966, me zyra qendrore në Londër, Angli, për t’u realizuar nëpërmjet subjektit Adriatic Resorts sh.a. NUIS M22221001A, me ortak të vetëm Adriatic ResortsHolding UK Limited, përfituesit fundor të të cilit janë deklaruar nga subjekti sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Projekti parashikon zhvillimin e një strukture akomoduese, e cila do të përfshijë një hotel me pesë yje me përafërsisht 250 (dyqind e pesëdhjetë) dhoma, 60 (gjashtëdhjetë) njësi të tjera akomodimi me shërbim luksoz, bare, restorante, njësi tregtare, kafene, hapësira për mbledhje dhe argëtim, SPA, pishinë dhe hapësira rekreative, kazino, si dhe vend parkim për mbi 600 (gjashtëqind) makina” thuhet në dokument.
Ndërkohë zona ku do të zhvillohet konkretisht projekti I takon pjesës së njohur si stacioni hekurudhor. Shteti në këmbim të tokës qe duket se do t’i verë në dispozicion investitorit do të marre 12.5 mijë metra/katror ndërtim për zyra të institucioneve. Mbetet e paqartë sesi brenda projektit të turizmit do të integrohen edhe këto hapësira.
“Projekti synon zhvillohet në Bulevardin e Ri, Bashkia Tiranë, në Zonën Kadastrale 8340, me numër pasurie 8/754, pas regjistrimit fillestar (ish pasuria me numër 8/76), në zërin kadastral “truall”. Në përfundim të realizimit të ndërtesës tregtare, subjekti propozon t’i kalojnë Qeverisë Shqiptare në pronësi 12.500 m2 ndërtim me qëllim përdorimi zyra për institucionet shtetërore apo sipas nevojave të tyre.
Vlera e investimit të projektit “The Cliffs” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 196,700,000 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë milion e shtatëqind mijë) Dollarë.
Projekti i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike, duke parashikuar të punësojë mbi 1000 (njëmijë) persona.
Me Vendim të KKT Nr.4, datë 14.10.2020, zona e Bulevardit të Ri të Tiranës, me sipërfaqe prej 21953.42 m2, në ZK. 8340, Tiranë është shpallur “Zonë me Prioritet Zhvillimin e Turizmit”, në bazë dhe zbatim të dispozitave të legjislacionit të turizmit.
Pasuria e paluajtshme me sipërfaqe prej 19,000 m2, e llojit “truall” ka kaluar në administrim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM) me VKM Nr. 47, datë 27.01.2021 “Për Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të një pjese të pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 19,000 m2 , nga trualli funksional i pronës ndodhur në Zonën Kadastrale 8340, me numër pasurie 8/76, me sipërfaqe prej 46,266 m2 , me emërtimin “Stacion Hekurudhor”, Tiranë” thuhet në vendimin e KIS.
KIS anulon vendimin për grupin Al Shiddi
Në vitin 2019 qeveria i dha statusin e investimit strategjik një grupi nga Arabia Saudite për te zhvilluar projektin Tirana City Center. Projekti në fjalë ndodhej në të njëjtën zone kadastrale dhe numër pasurie si projekti “The Cliffs” por tashmë statusi për të parin është anuluar.
Në atë kohë në vendimin e KIS thuhej se projekti parashikonte ndërtimin e një investimi kompleks dhe i përket pjesërisht sektorit strategjik të turizmit me strukture akomoduese elitare turistike-hotel, apartamente elitare hotel, vila elitare Sky Village, strukture mbështetëse turistike-qendër tregtare dhe garazh nëntokësor ashtu si dhe ndërtesë për zyra. Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej afërsisht 19,000 m2, në Zonën Kadastrale Nr. 8340, Tiranë.
“Vlera e investimit te projektit “TIRANA CITY CENTER” plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet te jete 106,850,000 (njeqind e gjashte milion e teteqind e pesëdhjete mije) Euro.
Projekti plotëson kriteret e punësimit te kërkuara nga legislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës se realizimit te investimit dhe operimit, numri i te punësuarve parashikohet te jete 1500 (njëmije e pesëqind) persona.
Subjekti propozues i projektit parashikon që, pas përfundimit të ndërtimit të projektit TCC, Qeverisë Shqiptare do t’i jepen 12 000 m2 ndërtim zyra (shell & core).
Për këtë projekt, me Vendim te Komitetit te Investimeve Strategjike Nr.23/2, date 23.07.2019, në baze te nenit 15 te Ligjit Nr.55/2015, është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit Nr. 23/3 Prot, date 09.09.2019 ndërmjet AIDA dhe Al Shiddi Trading Company LTD” thuhet në vendim.
Vendimi i anulimit që i takon verës që lamë pas parashtron së çështja është zvarritur në gjykata për shkak të një padie për të cilën është vendosur pushim në fillim të 2023 por duke qenë se me grupin Al Shiddi ende nuk kishte një marrëveshje nuk pati pasoja.
“Komiteti i Investimeve Strategjike vendosi: Anulimin e Vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike Nr. 2/7, datë 27.07.2020 dhe Vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike Nr. 2/10, datë 04.02.2021, pasi nuk u arrit të nënshkruhej një kontrate/marrëveshje investimi ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe subjektit aplikues. Nëpërmjet anulimit të Vendimit të Komitetit te Investimeve Strategjike Nr. 2/7, datë 27.07.2020 dhe Vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike Nr. 2/10, datë 04.02.2021 rivendoset ligjshmëria që Komiteti i Investimeve Strategjike të kryejë vlerësim oportuniteti mbi pasurinë në fjalë për projekte të tjera të propozuara e të cilat plotësojnë kriteret ligjore për të përfituar mbështetjen e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi” thuhet në vendim./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor