Vendosni fjalën kyçe....

Ish-atleti paraolimpik Pistorius do lirohet 11 vjet pasi vrau të dashurën


Ish-ylli paraolimpik i Afrikës së Jugut, Oscar Pistorius, do lirohet me kusht të premten, gati 11 vjet pasi vrau të dashurën e tij Reeva Steenkamp në një krim që tronditi kombin e prekur prej kohësh nga dhuna ndaj grave.

Pistorius – i quajtur “Blade Runner” për këmbët e tij protetike me fibër karboni – qëlloi për vdekje modelen 29-vjeçare përmes derës së mbyllur të banjës në ditën e Shën Valentinit në 2013.

Ai ka thënë në mënyrë të përsëritur se e ngatërroi Steenkamp menjë grabitës kur qëlloi katër plumba në banjën e shtëpisë së tij në Pretoria dhe ai nisi apelime të shumta kundër dënimit të tij mbi këtë bazë.

Pistorius, tani 37 vjeç, ka kaluar rreth tetë vjet e gjysmë në burg si dhe shtatë muaj në arrest shtëpie përpara se të dënohej për vrasje. Një bord i lirimit me kusht në nëntor vendosi se ai mund të lirohej pasi kishte përfunduar më shumë se gjysmën e dënimit.

Në një deklaratë të ndarë nga avokati i familjes Steenkamp të premten, nëna e viktimës, June tha: “Nuk mund të ketë kurrë drejtësi nëse i dashuri juaj nuk kthehet më kurrë në jetë, dhe asnjë dënim i shërbyer nuk do ta kthejë Reeva-n.”

“Ne, që mbetemi pas, jemi ata që po vuajmë një dënim të përjetshëm”, tha June Steenkamp, ​​duke shtuar se dëshira e saj e vetme ishte që të lejohej të jetonte në paqe pas lirimit me kusht të Pistorius.

Një zyrtar mbikëqyrës do mbajë nën vëzhgim deri në skadimin e dënimit në dhjetor 2029, të cilin Pistorius do të duhet ta informojë nëse kërkon mundësi pune ose zhvendoset në një adresë të re.

Atij gjithashtu i kërkohet të vazhdojë terapinë për menaxhimin e zemërimit dhe të marrë pjesë në seancat mbi dhunën me bazë gjinore si pjesë e kushteve të lirimit me kusht, ka thënë familja Steenkamp.

June Steenkamp tha se kushtet e vendosura nga bordi i lirimit me kusht kishin afirmuar besimin e saj në sistemin e drejtësisë të Afrikës së Jugut, pasi ato dërgojnë një mesazh të qartë se dhuna me bazë gjinore merret seriozisht.

Mediat lokale presin që ai të jetojë në shtëpinë e xhaxhait të tij Arnold Pistorius në një periferi të pasur të Pretorias.