Koreja e Veriut ka hedhur të premten më shumë se 200 predha artilerie pranë kufirit të tensionuar detar me Korenë e Jugut, tha një zyrtar ushtarak, ndërsa banorët e dy ishujve të Koresë së Jugut u urdhëruan të kërkonin strehim.
Në përgjigje të zjarrit të Koresë së Veriut, ushtria e Koresë së Jugut kreu stërvitje “të përshtatshme” artilerie, tha ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.
Një zyrtar në ishullin Jeonpyeong, tha se me kërkesë të ushtrisë së Koresë së Jugut, u urdhërua një evakuim për të zhvendosur banorët në strehimore.
Zjarri i Koresë së Veriut nuk shkaktoi dëme civile apo ushtarake, tha ushtria e Koresë së Jugut në një konferencë për shtyp.
“Ky është një akt provokimi që përshkallëzon tensionet dhe kërcënon paqen në Gadishullin Korean”, tha zëdhënësi i Shtabit të përgjithshëm i Koresë së Jugut, Lee Sung-jun pas zjarrit.
Të gjitha predhat e artilerisë së Koresë së Veriut ranë në anën veriore të kufirit detar, tha Lee, duke shtuar se ushtria e Koresë së Jugut, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane, po monitoron lëvizjet e Koresë së Veriut përgjatë bregdetit të saj.