Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoria e Burgjeve kërkon vendosjen në regjim të Posaçëm të Dan Hutrës dhe tre të burgosurve që tentuan arratisjen


Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nëpërmjet një kërkese për Ministrinë e Drejtësisë ka kërkuar vendosjen në regjimin e posaçëm të njohur si ’41 Bis’ vrasësin e 4 grave, Dan Hutrën dhe 3 të paraburgosurve të tjerë Martin Kapllani, Geraldo Veizi dhe Feti Kovaçi, të cilët tentuan të arratiseshin nga burgu i Fierit.

Një kontroll në qelinë e tyre zbuloi se Hutra dhe tre të burgosurit e tjerë me masë arrest me burg për akuzat e vjedhjes kishin planifikuar dhe materializuar tentativën për arratisje.

Ata kishin nisur prerjen e hekurave të dritareve që do i mundësonte atyre arratisjen.

Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr.15, ku mbahej Dan Riza Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht, një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara, disa prej të cilave tregohen në këto foto.