Iranianët vajtuan të premten mbi arkivolet e viktimave të dy shpërthimeve vdekjeprurëse në Iran, ndërsa Ministria e Brendshme tha se janë arrestuar disa të dyshuar për kryerjen e këtyre sulmeve, përgjegjësinë për të cilat e mori Shteti Islamik. Turma në varrimin e viktimave brohoriti: “Hakmarrje, hakmarrje” në qytetin Kerman, vendin e ngjarjes së shpërthimeve të së mërkurës, të cilat ishin më vdekjeprurëset prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Së paku 89 njerëz u vranë nga këto shpërthime gjatë shënimit të përvjetorit të ish-komandantit iranian, gjeneralit Qassem Soleimani, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.
Shpërthimet e së mërkurës kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon, pasi Izraeli po e vazhdon luftën kundër grupit të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, Hamas, në Rripin e Gazës, dhe grupi rebel Huthi nga Jemeni, i cili është i lidhur me Iranin, po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha për televizionin shtetëror se disa të dyshuar janë arrestuar.
“Agjencitë e afta të inteligjencës së vendit tonë kanë gjetur pista shumë të mira në lidhje me elementet e përfshira në shpërthimet terroriste në Kerman, dhe një pjesë e atyre që patën gisht në këtë incident janë arrestuar”, tha ai, pa shpjeguar.
Zëvendësministri i Brendshëm, Majid Mirahmadi, tha se ata janë arrestuar në pesë qytete në pesë provinca, duke shtuar se hollësitë rreth arrestimit të tyre do të bëhen të ditura më vonë.
Në një komunikatë në Telegram të enjten, grupi militant Shteti Islamik tha se dy prej anëtarëve të tij “i aktivizuan jelekët e mbushur me eksplozivë” në tubimin ku po shënohej përvjetori i vrasjes së Qasem Soleimanit në qytetin jugor të Iranit, shkruan REL.