Vendosni fjalën kyçe....

Rasti “Qyno”, në Apel, Matlija: Po shkelni praktikat ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës së Lartë


Rasti i paprecedentë i ndodhur me gazetarin e “Ora News” Elton Qyno, të cilit SPAK i sekuestroi pajisjet kompjuterike, telefonin e djalit, dy telefonat e punës dhe një seri materialesh të profesionit të tij, ka përfunduar në dyert e Gjykatës Speciale të Apelit, ku gazetari kërkoi prishjen e vendimit me Nr.501 dhe kthimin e materialeve dhe sendeve të sekuestruara.

Seanca e relatuar nga gjyqtarja e Apelit, Daniela Shirka, u shoqërua me debate mes avokatit të gazetarit Dorian Matlia dhe prokurorit të çështjes, Behar Dibra.

Fillimisht gjykata refuzoi kërkesën për pjesëmarrjen në këtë seancë të ndihmës komisionerit të Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, duke mos lejuar prezencën e tij si vëzhgues i procesit gjyqësor.

Gjatë fjalës së tij avokati Matlija, ngriti një seri shkeljesh të rënda të kryera nga prokuroria speciale SPAK, e cila krye 4 kontrolle të paligjshme dhe të njëpasnjëshme ndaj gazetarit Qyno.

Matlija i vuri në dukje gjyqtares Shirka, se për rastin konkret është shkelur me dy këmbët vendimi njëhsues i Gjykatës së Lartë, i cili përcakton qartazi format dhe kriteret se si prokuroria duhet të kërkojë burimin tek gazetarët profesionistë.

Për më tepër Matlia përmendi se Gjykata e Lartë, ka renditur një seri vendimesh të Gjykatës së Strasburgut, duke i quajtur precedentët e kontrollit të banesave apo vendeve të punës si tepër të rëndë dhe mjaft të rrezikshëm.

“…Shkelja e vendimit njehsues i Gjykatës së Lartë, krijon precedent të rrezikshëm dhe çon në ndjekje disiplinore deri në shkarkim të gjyqtarëve që e shkelin këtë vendim unifikues…”-theksoi avokati Matlija.

Matlija vuri në dukje se prokuroria, ka nisur hetimin për nxjerrje sekreti në datën 12 dhjetor 2023 dhe të gjitha veprimet hetimore në dobi të kësaj çështje i ka kryer ndaj gazetarit Qyno në datën 13 dhjetor.

“…Duhet të ishin të parët prokurorët, oficerët dhe vetë administrata e SPAK që të verifikohej për këtë rast dhe të hetohej. Hetimi duhet të niste nga prokurori, jo nga gazetari. Çfarë bënë këta, e nisën nga bishti duke shkelur çdo parim kushtetues, çdo ligj dhe praktikë ndërkombëtare, konventën e lirisë së shprehjes e deri tek vendimi njehsues i Gjykatës së Lartë. Në datën 13 dhjetor t’i sekuestrohej telefonat dhe kompjuterat prokurorëve dhe jo gazetarit Qyno…”.

Avokati i kujtoi gjyqtares Shirka, se në rastin konkret cënohen burimet e gazetarit dhe njëkohësisht kërcënohet realisht puna e këtij gazetari dhe siguria e tij fizike, për shkak se prej gati 18 viteve gazetari ka raportuar për ngjarje kriminale mjaft të rënda, të ndodhura në Shqipëri.

Nga ana tjetër prokurori i çështjes, Behar Dibra, theksoi se interesi i këtij hetimi ka qenë zbulimi i burimit të gazetarit, Elton Qyno, i cili gjatë marrjes në pyetje refuzoi të bashkëpunojë dhe të tregojë se nga e kishte marrë materialin.

Në sallën e gjyqit, prokurori Dibra doli jashtë kontrollit duke kaluar në shpifje dhe fyerje, pasi shprehu etiketime për gazetarin Qyno, duke e quajtur atë “gënjeshtar” pasi nuk kishte pranuar të tregonte burimet.

Por ky etiketim i ulët, jo qytetar dhe i pamoralshëm i prokurorit Dibra, solli reagimin e avokatit të gazetarit, Dorian Matlia dhe gjyqtares së seancës Daniela Shirka, të cilët i tërhoqën vëmendjen Dibrës dhe të bënte kujdes me fjalorin e tij gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.

Vetë prokurori është shprehur në sallë se nuk ka asnjë interes për pajisjet e sekuestruara, por ka pohuar se ai do nga gazetari Qyno të zbulojë vetëm burimin e informacioneve.

Nga ana tjetër avokati Matlia, i kujtoi gjykatës dhe vetë prokurorit se i kishte sekuestruar gazetarit Qyno, të gjitha materialet elektronike, përfshirë këtu CD dhe disa USB.

Gjithashtu avokati Matlia i përmendi gjyqtares Shirka, se ishte pikërisht gjykata e Apelit, që në rastin Lapsi.al rrëzoi poshtë vendimin e shkallës së parë, duke e quajtur vendimin e kontrolleve dhe sekuestrimit të pajisjeve kompjuterike, si të paligjshme dhe jashtë çdo norme ligjore.

Ndaj avokati i kujtoi Shirkës se jemi përballë të njëjtit rast, dhe si e tillë kjo gjykatë duhet të prishë vendimin nr.501 të Gjykatës së shkallës së parë, me qëllim kthimin e sendeve të sekuestruara.

Rastin në fjalë gjyqtarja Shirka, e konsideroi të ngarkuar dhe për shkak të kësaj situate Gjyqtarja vendosi të mos shprehet ditën e djeshme, por vendimin ta japi ditën e sotme në orën 14:00.

Për rastin e paprecedentë ndaj gazetarit Qyno, një ditë më parë por dhe sot reaguan organizatat më të njohura në botë që mbrojnë gazetarët dhe liritë e tyre.

“Reporterët pa Kufij” shkruajnë si më poshtë vijon:

“…Shqipëri: Sekuestrimi i aparaturave të gazetarit Elton Qyno nga prokurorët antikorrupsion pas raportimit të tij për krimin e organizuar, kërcënon fshehtësinë e burimeve konfidenciale.

“Reporterët pa kufij” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit, e vendosur në 5 janar, të urdhërojë kthimin e pajisjeve të gazetarit…”.

Ndërkohë në të njëjtën linjë doli dhe organizata “Safe Journalists”, e cila në një postim të sajin në platformën “X”, bëri thirrje që gjykata të kthejë pajisjet dhe njëkohësisht të këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh.

“…@ËB Journalist” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të urdhërojë SPAK-un t’i kthejë të gjitha pajisjet Elton Qyno-s dhe këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh…” – thuhet në deklaratën e Organizatës “Safe Journalists”.

Po kështu reagim tjetër erdhi dhe nga Federata Europiane e Gazetarëve, e cila është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë.

Reagimi erdhi përmes Ricardo Gutierrez, Sekretarit të Përgjithshëm, i cili shpreh shqetësimin e tij për rastin në fjalë, ku një gazetari i kanë marrë në mënyrë të paligjshme, pajisjet e punës dhe sendet personale dhe familjare, me qëllimin e vetëm të zbulimit të burimeve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ora News