Kina ka vendosur sanksione ndaj pesë kompanive amerikane të fushës së mbrojtjes, në përgjigje të shitjes së armëve nga Shtetet e Bashkuara në Tajvan dhe të sanksioneve amerikane ndaj kompanive dhe individëve kinezë.
Sanksionet do të ngrijnë çdo pronë që kompanitë e sanksionuara kanë në Kinë dhe do t’ua pamundësojnë organizatave dhe individëve në Kinë që të bëjnë biznes me entitetet e sanksionuara, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze të lëshuar më 7 janar.
Është e paqartë se çfarë ndikimi dhe nëse do të kenë ndikim sanksionet në kompanitë e sanksionuara: BAE Systems Land and Armaments, Alliant Techsystems Operations, AeroVironment, Viasat dhe Data Link Solutions.
Sanksione të tilla shpesh janë simbolike, pasi në përgjithësi kompanitë amerikane të mbrojtjes nuk shesin produktet e tyre në Kinë.
Ministria e Jashtme tha se vendimet e SHBA-së kanë dëmtuar sovranitetin e Kinës dhe interesat kombëtare, kanë minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe kanë shkelur të drejtat dhe interesat e kompanive kineze dhe individëve.
“Qeveria kineze mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe integritetit territorial dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të kompanive kineze dhe qytetarëve”, u tha në njoftim.