Vendosni fjalën kyçe....

Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme


Në Kosovë mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Një mundësi e tillë është pohuar nga zrtarë të pozitës e partive opozitare.

Sipas kalendarit, zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë do mbahen në vitin 2025. Zyrtarë të lartë nga pozita e opozita kanë deklaruar se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen në këtë vit, shkruan Telegrafi.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca por edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari kanë shpalosur argumentet e tyre pse zgjedhjet mund të mbahen gjatë këtij viti.

“Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se për shkak të shumë zhvillimeve do ishte mirë që qeveria e re që do marrë legjitimitetin e popullit të përfundojë disa procese që po kalon Kosova.

Ndërkohë shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila ka thënë se viti 2024 është vit i dinamikave të shumta në botë dhe kjo mund të ketë ndikim edhe në Kosovë.

Ajo thotë se nuk do të ishte diçka e paarsyeshme nëse zgjedhjet e rregullta mbahen në fund të këtij viti.

“Sipas kalendarit zgjedhor ka mundësi që deri në fund të vitit të organizojmë zgjedhje të rregullta të cilat do të jenë në përputhje me kalendarin zgjedhor, i cili në të kundërtën do ishte në shkurt të vitit 2025. Por, para dhe pas në periudhën 60 ditore ka mundësi të diskutimit ndërmjet subjekteve politike me presidenten e vendit për të gjetur një datë të përbashkët. Prandaj, nuk do të ishte risi nëse Kosova do të ballafaqohet me proces zgjedhur këtë vit. Pra, nuk do të ishte krejtësisht e jashtëzakonshme.”, ka thënë ajo.

Edhe për kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, viti 2024 do sjellë zgjedhje në Kosovë.

“Unë jam i bindur se vitin e ardhshëm do ketë zgjedhje. Po shihet tashmë edhe nga deklarimet dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit Kurti, nga tubimet e karakterit elektoral, por edhe nga forma aspak korrekte dhe e drejtë e shpenzimit të buxhetit të shtetit në raport me subvencionimet e ndryshme që i kanë bërë dhe që i kanë planifikuar. Besoj se në vitin 2024 do kemi zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të them me siguri se a do të mbahen ato në qershor, në tetor më herët apo më vonë”, ka deklaruar Krasniqi.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se vendi do shkojë në zgjedhje në fillim të vitit 2024.

Krasniqi ka theksuar se Kosova e ka humbur njohjen reciproke.

“Pas vitit të ri menjëherë do ketë zgjedhje. Sa më shpejt që vendi të shkojë në zgjedhje është më mirë sepse qytetarët po varfërohen. Ka ngritje të çmimeve, nuk ka heqje të TVSH-së as heqje të akcizës”, ka deklaruar ajo.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini vlerësoi se sipas gjasave dhe bindjeve politike të qytetarëve, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti, shkruan Telegrafi.

“Unë po besoj që, nëse i kemi parasysh të gjitha rrethanat që janë krijuar në Kosovë, duke i futur në llogari edhe bindjet politike të njerëzve dhe idetë që i shohim, gjasat janë që në vitin 2024 do kemi zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Gjini.