Rrjeti Global për Media të Pavarur ka shprehur shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit që ka lënë në fuqi urdhrin e mëhershëm të një gjyqtari për kontrollin e banesës dhe celularit e kompjuterit të gazetarit Elton Qyno.
Në një reagim në rrjetin social X ajo bën thirrje për respektim të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve gazetareske.
“#Shqipëri: IPI është alarmuar nga vendimi i gjykatës së apelit për lënien në fuqi të urdhrit të mëparshëm të një gjyqtari për kontrollin e banesës dhe pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno. Duhet të respektohen standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve gazetareske.” – thuhet në reagimin e rrjetit.
Seanca në Apel para pak ditësh e relatuar nga gjyqtarja e Apelit, Daniela Shirka, u shoqërua me debate mes avokatit të gazetarit Dorian Matlia dhe prokurorit të çështjes, Behar Dibra.
Fillimisht gjykata refuzoi kërkesën për pjesëmarrjen në këtë seancë të ndihmës komisionerit të Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, duke mos lejuar prezencën e tij si vëzhgues i procesit gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij avokati Matlija, ngriti një seri shkeljesh të rënda të kryera nga prokuroria speciale SPAK, e cila krye 4 kontrolle të paligjshme dhe të njëpasnjëshme ndaj gazetarit Qyno.
Matlija i vuri në dukje gjyqtares Shirka, se për rastin konkret është shkelur me dy këmbët vendimi njëhsues i Gjykatës së Lartë, i cili përcakton qartazi format dhe kriteret se si prokuroria duhet të kërkojë burimin tek gazetarët profesionistë.
Për më tepër Matlia përmendi se Gjykata e Lartë, ka renditur një seri vendimesh të Gjykatës së Strasburgut, duke i quajtur precedentët e kontrollit të banesave apo vendeve të punës si tepër të rëndë dhe mjaft të rrezikshëm.