Totali i emetimeve të letrave me vlerë të qeverisë këtë vit pritet të jetë rreth 378,6 miliardë lekë (3,6 miliardë euro) dhe instrumenti me emetime më të shpeshta dhe nga vlera pritet të jetë bono thesari 12-mujore.
Gjatë vitit 2024 pritet të maturohen në total rreth 328,6 miliardë lekë (3,1 miliardë euro), prej të cilave 217,7 miliardë lekë do të jenë bono thesari dhe 110,8 miliardë lekë obligacione. instrumenti me maturimet më të larta pritet të jetë bono thesari 12-mujore me vlerë prej rreth 212,7 miliardë lekë raportoi Ministria e Financave.
Muajt me shumën më të lartë të maturimeve të borxhit shtetëror pritet të jenë Janar-Shkurt 2024 specifikisht me rreth 58.8 miliardë lekë dhe 59.4 miliardë lekë, ku maturimet më të larta i referohen dy instrumenteve referencë: obligacione 3- vjeçare dhe 5-vjeçare (respektivisht 20,8 miliardë lekë dhe 18.73 miliardë lekë).
Krahas instrumenteve të tjera standarde, MFE do vijojë emetimin e titujve referencë, specifikisht dy linja emetimesh të reja të obligacioneve 3-vjeçare dhe dy linja emetimesh të reja të obligacioneve 5- vjeçare.
Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2024 Ministria e Financave synon kryerjen e ankandeve për blerjen mbrapsht të titujve qeveritarë referencë që maturohen në vitin 2025 me qëllim uljen e riskut të rifinancimit të atij vit.
Huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 81.59% të deficitit (50 miliardë lekë), ndërkohë huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative. Pjesa tjetër e deficitit parashikohet të financohet nga gjendja e mbartur e likuiditetit në vitin 2023.
Huamarrja e huaj parashikohet të realizohet kryesisht nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë zbatimin e projekteve prioritare të qeverisë, si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të arrijnë të plotësohen gjatë vitit 2024.
Në total huamarrja e huaj gjatë vitit 2024 vlerësohet të jetë rreth 36.6 miliardë lek, por duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative prej (minus) 15.6 miliardë Lek. Në rast se kushtet e tregjeve gjatë vitit 2024 do të jenë të favorshme, nuk përjashtohet mundësia e avancimit në kohë me emetimin përgjatë vitit buxhetor 2024 të një Eurobondi të ri, i cili është parashikuar në vitin buxhetor 2025.
Financimi i projekteve do të konsistojë në disbursimin e kredive për projektet e nisura që janë në zbatim me financimin e BB, KfW, BERZH, BEI, dhe financuesve të tjerë të rëndësishëm. Një mbështetje buxhetore është planifikuar të realizohet dhe të disbursohet brenda vitit 2024 në kuadër të politikave për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbërit të Shqipërisë, në vlerën prej 60 milionë EUR.
Gjithashtu, gjatë 2024, në zërin e Mbështetjeve Buxhetore, mund të përfshihet dhe ndonjë nga Mbështetjet Buxhetore që ka qenë e planifikuar dhe në proces miratimi gjatë vitit 2023.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor