Një spital në Gazën qendrore ka raportuar për dhjetëra viktima për shkak të sulmeve të rënda ajrore gjatë natës.
Videoja e xhiruar për CNN tregon viktima të shumta në oborrin e Spitalit të Martirëve Al-Aksa në qendër të Gazës.
Videoja tregon njerëzit duke u lutur për të vdekurit, të cilët ishin sjellë atje nga Deir Al-Balah, Al-Maghazi dhe Al-Nuseirat të gjitha zonat e Gazës qendrore ku ka pasur luftime të ashpra dhe sulme të gjera ajrore.
Jamal Naim tha se humbi nënën, tre vajzat dhe tre nipërit e tij.
“Ne ishim duke fjetur në një shtëpi strehimi në Deir Al-Balah. Ne ishim evakuuar nga Nuseirat pasi na thanë se këtu është e sigurt. Papritur në orën 11 të natës, shtëpia u godit. Nuk e dimë pse. Ata goditën dhomën ku flinin vajzat e mia. Nëna ime u martirizua, [si dhe] tre vajzat dhe tre nipërit e mi”, tha ai për CNN.
Një nga vajzat e tij, Shaymaa 27-vjeçare, ishte diplomuar për dentiste. Ai kishte gjetur vetëm copa të trupit të saj.
“Është një krim,” tha Naimi, “një botë e padrejtë. Nuk e di ku po shkon njerëzimi. Kjo është një dentiste, ajo ishte e para në kolegj me notën 95%, një nga dentistet më të mira në Gaza.”
Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në Gaza tha të martën se në 24 orët e mëparshme, gjithsej 126 njerëz ishin vrarë dhe 241 të plagosur. Në shumicën e ditëve të fundit, Ministria ka raportuar midis 100 dhe 200 njerëz të vrarë. Ministria tha se numri i të vrarëve nga operacionet ushtarake izraelite që nga 7 tetori ishte rritur në 23,210 me 59,167 persona të plagosur.