Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e tatimit për profesione e lira, denoncimi i PD-së: Rrit informalitetin e falimentin, mby shtresën e mesme


PD-ja e Bashës ka denoncuar tatimin e ri të profesioneve të lira që ka hyrë në fuqi nga 1 janari 2024.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Arbi Agalliu tha se nga 1 janari mijëra shqiptarë që mezi mbajnë familjet do duhet të paguajnë më shumë detyrime në buxhet.

Nga 1 janari ka nisur të zbatohet tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira. Nga 1 janari janë 262 profesione të lira, ku mijëra e mijëra shqiptarë punojnë për të mbajtur familjet e tyre, të cilët do të paguajnë më shumë detyrime në buxhetin e shtetit. Në fakt, këta të vetë punësuar përbëjnë shumicën e shtresës së mesme të shoqërisë sonë. Është pikërisht kjo fash qytetarësh që bën dhe qarkullimin e parasë. Është pikërisht kjo shtresë e cila konsumon dhe investon në tregjet shqiptare. Është pikërisht kjo shtresë që shtyn përpara ekonominë shqiptare, gjeneron vende pune, dhe qarkullon kapitalin.”­ – tha Agalliu.

Ai shtoi se qeveria në vend që të ulë barrën fiskale i rrit ato duke e rënduar edhe më shumë shtresën e mesme. Sipas Agalliut, rritja e tatimit do çcojë në rritje të informalitetit ose në faliment.

“Por çfarë po ndodh? Në vend që qeveria t’i ulë barën fiskale duke i dhënë frymëmarrje po ndodh e kundërta. Rritja e detyrimeve fiskale apo vendosja e taksave të reja e mbyt edhe më shumë këtë shtresë të rëndësishme të shoqërisë sonë. Rritja e barrës fiskale, e sidomos tatimi progresiv në vende me ekonomi të brishtë si Shqipëria, do të rrisë informalitetin, për të mos thënë që rritja e barrës fiskale e shtyn biznesin në faliment. Qeveria do duhet të nxisë aktivitetin tek profesionet e lira duke ulur barën fiskale dhe madje duke incentivuar sipërmarrje të caktuara, por kjo nuk ndodh. Nuk ndodh sepse do duhet të mbulohen gropat në buxhetin e shtetit që vijnë si pasojë e abuzimit dhe vjedhjes nga kjo qeveri, skandalet e së cilës i shohim përditë.” – shtoi Agalliu.

Në fund deputetii PD-së theksoi se rritja e tatimeve nga qeveria është një nga shkaqet e emigrimit të shtresës së mesme.

“Viti 2024 duhet të jetë një vit ku sipërmarrësit, të vetëpunësuarit, të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë për t’i ndihmuar, mbështetur, subvencionuar e nxitur për t’u zhvilluar më tej, por mesa duket do jenë në vëmendje të qeverisë për t’u tatuar gjithmonë e më shumë. Veç të tjerash, kjo është dhe arsyeja që shtresa e mesme largohet nga Shqipëria. Mjekë, inxhinierë, infermierë, hidraulikë, teknikë, elektricistë, e shumë e shumë profesionistë po largohen çdo ditë e më tepër.” – mbylli deklaratën Agalliu.