Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026.
Sipas këtij plani “ministri i Shtetit dhe Kryenegociator ngarkohet të bashkërendojë zbatimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026 me ministrat dhe/ose drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për kryesimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian (GNPIE), si dhe negociatorin përgjegjës të secilit kriter dhe/ose kapitull të acquis të Bashkimit Evropian”.
“Negociatori përgjegjës për kriterin dhe/ose kapitullin e acquis të Bashkimit Evropian, i caktuar sipas parashikimeve të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, raporton në mënyrë periodike pranë ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator për ecurinë e zbatimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026. Vendimi nr.122, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2023 – 2025”, shfuqizohet. Ngarkohen të gjitha institucionet, në përbërje të grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian, për të cilat në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024 – 2026 janë përcaktuar detyra të veçanta për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.