Gazment Bardhi pas daljes nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PD, është shprehur i keqardhur për “një grup të vogël kolegësh”, siç i quajti ai, që dje deklaruan se mund të bashkojnë votat me PS në Kuvend.
Ai tha se ky është një skenar i ngjashëm me atë të 2020, ku sipas tij me pretendimin e listave të hapura, hoqën koalicionet.
Sakaq ai i ka bërë thirrje Presidentit të vendit që të bëhet garant i kushtetutës.
“Në vend të reflektimit për të kryer parlamenti funksionon e kontrollit parlament, mazhoranca i është përgjigjur me arrogancë, me ndryshime të njëanshme. Në emër të Grupit i bëj thirrje Presidentit të bëhet garant i kushtetutës.
Ky është funksioni i tij dhe duam të besojmë se Presidenti do të ngrohet në lartësinë e detyrës. Së dyti sa i takon reformës zgjedhore, doli qartë skenari i pozitës se pse kërkon të mbajë të bllokuar punën përmes përcaktimit prej tyre të përfaqësuesve të pozitës në Komision, sepse Rama do ta trajtojë reformën si mall që shitet në treg, përmes trafikimit të votave opozitare. Shpreh keqardhje që një pjesë e vogël e kolegëve konfirmuan dje që janë në këtë tentativë.
Mu kujtua i njëjti justifikim i 2020, deputetë që nuk përfaqësonin opozitën reale, në emër të listave të hapura, shkuan në Kuvend dhe bashkuan votat me Ramën, për të hequr koalicionet. Që ishte formula që i jepte fitoren opozitës. Skenar i dalë bojë tashmë.
Së treti kemi vendosur t’i drejtohemi Kushtetuese për kundërshtimin e ligjit që i hap rrugë vjedhjes së Portit të Durrësit, dhe i dyti ka të bëjë me ligjin që rrit tatimin mbi fitim për profesionistët e lirë”, tha ai.