Policia ka ofruar 15 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që jep informacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit nga Zamir Kalemit, mbrëmjen e 12 janarit te nënkalimi i Selitës në Tiranë.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, më datë 12.01.2024, ju informojmë se:
Më datë 12.01.2024, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Zamir Kalemi, i vitlindjes 1983, si pasojë ky shtetas ka marrë disa plagë me armë zjarri, dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyrjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.
Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin.
Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.
Nga analiza e rethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi.
Informacione më të detajuara do të japim për mediat dhe për publikun, në vazhdim të hetimeve”, njofton policia.