Është publikuar videoja e ekzekutimit mafioz të një 44-vjecari në Athinë orët e para të mëngjesit të sotëm.
Viktimë sipas medias greke ka mbetur një emër i njohur i botës së nëndheshme të krimit, të cilit iu zu pritë dhe u qëllua për vdekje teksa ishte brenda makinës së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një pike karburanti në lagjen athinase Neos Kosmos.
Siç duket nga videoja, mafiozi i identifikuar si Vangelis Z, është qëlluar me breshëri automatiku. Një makinë afrohet me shpejtësi dhe ndalon pranë makinës së viktimës ndërsa dy persona të maskuar hapin zjarr me automatik.
Vangelis Z. është përballur më herët me akuzat për drejtimin e një grupi zhvatjeje ndërsa në vitin 2018 i kishte mbijetuar një tjetër atentati.
Forcat e rendit e konsiderojnë vrasjen e tij të rëndësishme në konfliktet e vazhdueshme brenda skenës së jetës së natës.
Pas ngjarjes, mjeti i sulmuesve u zbulua i djegur plotësisht në Avenue Athinë në Haidari, në perëndim të Athinës.
Autoritetet e lidhin këtë ngjarje me një komplot të prishur kundër 44-vjeçarit në qershor, ku përfshihej një furgon i ngarkuar me armë.