Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku është shprehur përmes një reagimi në rrjetet sociale se ekonomia shqiptare po vuan si rezultat i pastrimit të parave, gjë që sipas saj është kuptuar nga qeveria vetëm së fundmi.
Tabaku u shpreh se sfida që ka sot Shqipëria është se si mundet që dikush me punë të ndershme, me investim, me para reale jo paratë e krimit, të krijojë një model sesi mundet qeveria të kalojë ngërçin ku është futur.
Sipas saj të rinjtë që largohen nuk do jenë më statistike nëse bëhet prioritet dhe krijohet një model i ekonomisë reale jo asaj të krimit.
“Qeveria më në fund u kujtua që pastrimi i parave dhe ekonomia e krimit po e vdes ekonominë reale. U kujtua që sot të rinjtë,bizneset,sipërmarrjet, ndërtimi por dhe e gjithë ekonomia po vuan si rezultat i pastrimit të parave.
Sot një i ri shqiptar e ka të pamundur që të hapë një biznes, të blejë një shtëpi apo që të ketë një apartament sepse duhet patjetër që të konkurrojë me paranë e pisët që ka hyrë në sektorin e ndërtimit.
Një i ri duhet të punojë mesatarisht 50 deri në 60 vjet që të arrijë të blejë një apartament në Tiranë, ndërkohë që nga ana tjetër një sektor i tërë është duke u mbyllur vetëm si rezultat i zhvlerësimit të euros.
Sot sektori i fasonerisë që ka 20% të eksportit të produkteve shqiptare në të gjithë botën është duke u mbyllur sepse ekonomia e krimit dhe pastrimit të parave po ndërhyn dhe aty: në ekonominë reale të bizneseve të sektorit fason.
Kjo është sfida reale që ka sot Shqipëria! Sfida sesi mundet që dikush me punë të ndershme, me investim, me para reale jo paratë e krimit, të krijojë një model sesi mundet qeveria të kalojë ngërcin ku është futur, në modelin ekonomik që nuk prodhon asgjë përveç korrupsionit dhe të fokusohet në një model që investon tek puna, dija, teknologjia.
Jam e sigurt që nuk do i kemi më statistikë të rinjtë që largohen, vetëm nëse bëhet prioritet dhe krijojmë një model të ekonomisë reale dhe jo ekonominë e krimit”, u shpreh ajo.