Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Zvicër, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Davosit është takuar me zëvendës sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit Amerikan, James C. O’Brien.
Mediat kosovare bëjnë me dije se qeveria e Kosovës ka informuar që në fokus të takimit ka qenë angazhimi dhe përkushtimi për fuqizimin e bashkëpunimit e thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke mos lënë në hije as zhvillimet rajonale.
“Si partnerë dhe aleatë, jemi gjithmonë të bashkërenduar dhe në komunikim të vazhdueshëm. Zëvendës sekretari O’Brien vlerësoi përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës pavarësisht provokimeve dhe sulmeve në veri të vendit”,- thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.