Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar dërgesat e reja të raketave dhe bombave me rreze të gjatë veprimi në Kiev, ndërsa këmbëngul se Perëndimi “nuk mund ta lërë Rusinë të fitojë” luftën me Ukrainën. Ai shtoi se do e vizitojë vendin muajin e ardhshëm.
Duke folur në një konferencë shtypi në Pallatin Elysee në Paris, udhëheqësi francez përsëriti se vendi i tij do vijojë të ndihmojë Ukrainën. Mes kritikave se Franca nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar Kievin, Macron tha se Parisi do dërgonte 40 raketa që lëshohen nga ajri SCALP, të cilat kanë një rreze prej më shumë se 250 km, si dhe “qindra bomba”.
Mediat lokale, duke cituar zyrtarë francezë, raportuan se presidenti po i referohej municioneve të pajisura me modulin AASM, ose HAMMER, i cili i shndërron bombat e zakonshme në armë të drejtuara me saktësi me një rreze veprimi deri në 70 km.
Macron shtoi se ai do vizitojë Ukrainën në shkurt për të përmbyllur një marrëveshje dypalëshe sigurie me Kievin, të ngjashme me atë që vendi nënshkroi kohët e fundit me Britaninë.
Marrëveshja dhjetëvjeçare midis të dyve, e cila u njoftua javën e kaluar, garanton “ndihmën e shpejtë dhe të qëndrueshme të sigurisë” të Britanisë për Ukrainën në rast të një sulmi të ardhshëm rus, ndërsa përshkruan shumë masa të tjera mbështetëse.