Vendosni fjalën kyçe....

Tajvani njofton aktivitetin e parë të madh ushtarak kinez pas zgjedhjeve presidenciale


Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se kishte gjurmuar të mërkurën 18 avionë të forcave ajrore kineze që fluturonin rreth ishullit dhe kryenin patrullime të gatishmërisë luftarake në koordinim me luftanijet kineze, aktiviteti i parë ushtarak në shkallë të gjerë pas zgjedhjeve në Tajvan.

Kina, e cila e sheh Tajvanin si territorin e saj, gjatë katër viteve të fundit ka zhvilluar rregullisht manovra me avionë dhe anije luftarake përreth ishullit, ndërsa pretendimet e saj territoriale janë hedhur poshtë vazhdimisht nga qeveria e Tajvanit.

Tajvani zgjodhi të shtunën në postin e presidentit zotin Lai Ching-te, të Partisë Progresive Demokratike në pushtet (DPP). Pekini e ka cilësuar vazhdimisht atë si një separatist të rrezikshëm dhe nxitës të luftës.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se të mërkurën në mbrëmje kishte gjurmuar 18 avionë luftarakë, mes tyre edhe të modelit Su-30, që fluturonin pranë Tajvanit verior dhe qendror dhe në jugperëndim të ishullit.

Njëmbëdhjetë prej këtyre avionëve kaluan linjën pranë ngushticës së Tajvanit dhe në koordinim me anijet luftarake kineze kryen patrullime të përbashkëta gatishmërie, tha ministria.

Kjo pjesë e ngushticës më parë shërbente si një vijë ndarëse jozyrtare mes dy palëve, por tani aeroplanët kinezë fluturojnë rregullisht mbi këtë zonë. Kina thotë se nuk e njeh ekzistencën e vijës ndarëse. Tajvani dërgoi forcat e veta ushtarake për të vëzhguar, njoftoi Taipei.

“Siguria dhe mirëqenia e rajonit të ngushticës së Tajvanit janë të lidhura thellësisht me zhvillimin dhe stabilitetin global dhe janë detyrime dhe përgjegjësi që duhet të ndajnë të gjitha palët në rajon”, thuhet në një deklaratë të mbrojtjes së Tajvanit. “Ushtria do të vazhdojë të forcojë aftësitë e saj vetëmbrojtëse në përputhje me kërcënimet e armikut dhe nevojat e vetëmbrojtjes, dhe do t’u përgjigjet kërcënimeve rajonale”.

Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur reagime nga Kina.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po ndjekin nga afër veprimet e Kinës ndërsa Uashingtoni i ka bërë thirrje Pekinit që mos t’i shfrytëzojë zgjedhjet e Tajvanit si “pretekst për përshkallëzim”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA