Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli miraton shitjen e mishit të prodhuar në laborator


Një kompani izraelite ka marrë miratimin paraprak nga qeveria për të shitur biftekët e parë në botë të bëra nga qelizat e kultivuara të viçit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e vendit këtë javë.

Ministria tha se miratimi ishte pjesë e një programi pilot për proteinat alternative kryer nga Departamenti i Menaxhimit të Riskut Ushqimor.

Ajo përmendi gjithashtu kërkesën në rritje globale për “produkte me origjinë jo të gjallë”, duke shtuar se po punon për të miratuar burimet alternative të ushqimit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka quajtur zhvillimin “një zbulim global” dhe “lajm të rëndësishëm për sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit dhe shqetësimin për kafshët”.

Aleph Farms, të cilës iu dha miratimi, do prodhojë viçin nga qelizat që rrjedhin nga një vezë e fekonduar nga një lopë e quajtur Lucy, një lopë e racës Black Angus që jeton në një fermë në Kaliforni.

Megjithatë, mund të duhen muaj përpara se prodhimi të shërbehet në darka pasi rregullatorët duhet të miratojnë ende etiketat e kompanisë dhe të kryejnë një inspektim përfundimtar.

“Trajtimi i sfidave të përbashkëta si siguria ushqimore do jetë mënyra më e mirë për të siguruar prosperitetin e rajonit të Lindjes së Mesme, si dhe të rajoneve të tjera në mbarë botën që varen ndjeshëm nga importet e ushqimit, me theks në Azi”, tha kreu i Aleph Farms, Didier Toubia.

Krijimi i mishit të kultivuar ose ‘të kultivuar në qeliza’, i njohur gjithashtu si mish i rritur në laborator, mund të ndihmojë në pakësimin e ndikimeve mjedisore të prodhimit konvencional të mishit, pretendojnë përkrahësit.

Megjithatë, prodhimi i një mishi të tillë në shkallë të gjerë do nënkuptonte kosto të larta, tregojnë ekspertët.

Singapori dhe SHBA kanë miratuar më parë pulën e kultivuar për shitje. Më shumë se 150 kompani në mbarë botën thuhet se kanë plane për të prodhuar mish të rritur në laborator.