Vendosni fjalën kyçe....

Brukseli nis diskutimet për lëvrimin e 76 miliardë eurove nga fondet e BE-së për Poloninë


Komisioni Evropian ka filluar zyrtarisht një proces tre-mujor për të rishikuar 76.5 miliardë euro të fondeve të kohezionit që Polonia nuk ka qenë në gjendje t’i aksesojë për shkak të shqetësimeve mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Paratë kanë qenë gjithmonë një çështje prioritare për Varshavën, një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të kohezionit, e cila paguan për projektet e zhvillimit që synojnë modernizimin e infrastrukturës dhe kapërcimin e hendekut me shtetet anëtare më të pasura.

Por reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore e prezantuar nga qeveria e mëparshme e djathtë e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila fuqizoi dhomën disiplinore të Gjykatës së Lartë për të ndëshkuar magjistratët sipas vendimeve të tyre, bëri që Brukseli të ngrijë zarfin shumë-miliardësh.

Koalicioni i ri liberal trepartiak i udhëhequr nga kryeministri Donald Tusk është zotuar të ndryshojë kursin dhe të zhbëjë rregullimin, i konsideruar i paligjshëm nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg, dhe efektet që pati në gjykatat dhe gjyqtarët e vendit.

Qeveria e Tusk, e emëruar gati një muaj më parë, tani po merr iniciativën për të provuar kredencialet e saj pro-BE: javën e kaluar, ekzekutivi informoi Komisionin Evropian se ndryshimet legjislative të paraqitura deri më tani janë të mjaftueshme për të përmbushur “kushtin e mundësimit horizontal” në pavarësinë e drejtësisë që i bashkëngjiten 76.5 miliardë euro.

Ky kusht është “i pakapërcyeshëm”, që do të thotë se mbulon të gjitha këstet e ndryshme që përbëjnë paketën financiare. Pa u plotësuar, asnjë para nuk mund të lirohet.

“Polonia ka informuar zyrtarisht Komisionin se konsideron të ketë përmbushur këtë kusht mundësues në fushën e pavarësisë së gjyqësorit,” tha një zëdhënës i Komisionit të hënën pasdite.

“Në Komision, ne jemi duke analizuar letrën e dorëzuar nga autoritetet polake për të vlerësuar nëse kushti mundësues në këtë fushë është përmbushur dhe ne jemi në kontakt të rregullt me autoritetet polake në të dy nivelet teknike dhe politike.”

Shqyrtimi i kërkesës mund të zgjasë deri në tre muaj, ose edhe më gjatë nëse Komisioni i kërkon Varshavës sqarime.

Përveç kushtit që lidhet me gjyqësorin, Polonia ka të paktën dy “kushte tematike” – transportin dhe kujdesin shëndetësor – të bashkangjitura me kapitujt përkatës në 76.5 miliardë euro. Asnjëri prej tyre nuk është arriturr ende, shtoi zëdhënësi.

Më vete, Varshava po përpiqet të sigurojë akses të papenguar në planin e saj të rimëkëmbjes COVID-19, një përzierje prej 34.5 miliardë eurosh në kredi me interes të ulët dhe 25.3 miliardë euro në grante. Brukseli kishte miratuar planin polak me kushtin e përmbushjes së tre “super shtyllave”, dy prej të cilave janë të lidhura me reformën e diskutueshme gjyqësore.

Deri më tani, Komisioni ka lëvruar  5.1 miliardë euro “parafinancim” nga plani i rimëkëmbjes dhe elasticitetit për të siguruar likuiditet të menjëhershëm për projektet që mund të forcojnë pavarësinë energjetike dhe të ulin importet e karburanteve fosile ruse.

Tuks po kërkon që të zhbllokohen më shumë pagesa në muajt e ardhshëm.

Megjithatë, afati i tij ambicioz mund të prishet nga presidenti Andrzej Duda, i cili është politikisht i afërt me PiS dhe shpesh përkrah pikëpamje të ngjashme. Duda ka kërcënuar hapur se do të mbrojë prerogativën e tij presidenciale dhe do të vërë veton ndaj planit të shpejtë të kryeministrit për të zhbërë rishikimin gjyqësor, të cilin Duda e kishte mbështetur në të kaluarën.

Përkeqësimi i përplasjes midis Tusk dhe Dudës ka tërhequr interes të konsiderueshëm mediatik dhe ka ngritur shqetësimet për një krizë kushtetuese. Javën e kaluar, Vera Jourová, nënkryetarja e Komisionit Evropian e ngarkuar për vlerat e transparencës, tha për Euronews se Brukseli po ndiqte “nga afër” ngjarjet në Varshavë dhe nuk do të hezitonte të “vepronte” nëse përplasja politike do të çonte në shkelje ligjit të BE-së.