Vendosni fjalën kyçe....

Fredi Beleri e kallëzoi për manipulim me pronat, kryetari i Bashkisë Himarë Jorgo Goro paraqitet në SPAK


I ndodhur në arrest më burg nën akuzën e shitblerjes së votës, në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryetari i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, depozitoi në muajin gusht një kallëzim penal ndaj rivalit të tij socialist, Jorgo Goro, trashëgimtarëve të një banori të Himarës si dhe ndaj ish deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, anëtare e parlamentit, emri i së cilës është po ashtu mes të kallëzuarve.

Zoti Beleri denonconte faktin se bëhet fjalë për një sipërfaqe mbi 5 mijë metra katrorë tokë, të cilat i janë njohur trashëgimtarëve të familjes Mëhilli si pronë, përmes dokumenteve të falsifikuar dhe akteve, sipas tij në shkelje të ligjit, nga ana e kryebashkiakut Jorgo Goro dhe zyrës së regjistrimit të pasurive. 

Ai pretendon se e gjithë kjo praktikë ka patur si synim që kjo sipërfaqe t’i kalojë ish deputetit socialist Gaçi, i cili e ka blerë më pas atë, duke e përfshirë si pjesë të terrenit ku ai ka nisur të ndërtojë një kompleks turistik në bregdet.