Deputeti i Partisë Demokratike përmes një postimi në Facebook, shkruan se Komisionet Parlamentare dhe pjesëmarrja në Reformën Zgjedhore janë të drejta që opozitës ia njeh edhe Parlamenti Europian.
Sula thekson se deputetët e opozitës duan që të përballen me argumente me mazhorancën e cila ka bllokuar prej tre muajsh komisionet parlamentare dhe prej 22 muajsh mbahet peng edhe Reforma Zgjedhore.
Ndërsa për rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian të hënën (23 janar), deputetit i PD-së e cilëson si të drejtë dhe i bën thirrje mazhorancës të reflektojë
Postimi i Sulës:
Komisionet hetimore dhe pjesëmarrja në Reformën Zgjedhore në proporcion të drejtë, të drejta të konfirmuara edhe nga PE.
Prej tri muajsh po bëjmë opozitë në një mënyrë jo të dëshiruar nga ana jonë, por të imponuar nga mazhoranca Socialiste.
Ne duam të përballemi me argumenta me qeverinë, me mazhorancën, në seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Por këto metoda normale na janë mohuar nga një mazhorancë arrogante.
Cfarë kërkojmë ne prej tri muajsh?!
– Ngritjen e Komisioneve Hetimore për cështje specifike të dyshimta.
– Avancimin e Reformës Zgjedhore e cila prej 22 muajsh mbahet peng. Ndryshimin e përbërjes së tij duke respektuar proporcionalitetin e përfaqësimit.
Përballë këtyre kërkesave kushtetuese dhe legjitime, jemi përballur me një arrogancë. Mazhoranca jo vetëm që nuk ngre Komisionet Hetimore, por ndryshon ligjin në mënyrë të njëanëshme.
Në këtë njëanshmëri i bashkohet edhe Presidenti i cili supozohet të jetë mbi palët. Por ky i yni, sapo dëgjoi kryeministrin në Lezhë i cili tha se nuk negociojmë për ligjin e komisioneve hetimore, doli menjëherë dhe e dekretoi miratimin e ndryshimeve të njëanëshme.
Parlamenti Shqiptar i cili prej 22 muajsh bllokoi Reformën Zgjedhore me një bashkëkryetar të opozitës që nuk gëzon besimin e deputetëve të opozitës, sapo kryeministri tha se do synojë shumicë aritmetike, lajmëroi menjëherë riaktivizimin. Pra në vend që të marrë parasysh shumicën e grupit, mazhoranca zgjedh vetë se kë do të njohë opozitë. (Atë që nuk i shkakton ‘dhimbje koke’)
Prej tri muajsh i kërkojmë këto të drejta kushtetuese, por nga krahu tjetër ka munguar vullneti.
Por sikur të mos kishte ndodhur asgjë në Shqipëri, një socialist i vjetër shfaqet në Bruksel me dorën e shtrirë ndaj opozitës për dialog. Ndërkohë në Shqipëri kjo dorë e shtrirë nga ky koleg nuk duket pasi me gjasë këtu fillojnë problemet dentare dhe dora duhet për të mbyllur gojën.
Madje në Shqipëri, nga kolegët e kampit kundërshtarë akuzohemi si destabilizues, një gjë që nuk është absolutisht e drejtë dhe e vërtetë.
Rezoluta e miratuar në Parlamentin Evropian të hënën na jep plotësishtë të drejtë në kërkesat që ne kemi dhe I bën thirrje mazhorancës të reflektojë. Më poshtë janë dy nga evidencat e Rezolutës së miratuar në PE;
1 “Thekson funksionin jetik të kontrollit dhe balancimit të Parlamentit, duke theksuar nevojën për komisione hetimore; rikujton se ligji i ri për komisionet hetimore parlamentare është miratuar pa konsensus; inkurajon përdorimin e mjeteve të ndryshme të mbikëqyrjes duke përfshirë komisionet hetimore, interpelancat dhe mocionet me debat, në përputhje me dispozitat ligjore, për të forcuar llogaridhënien dhe qeverisjen demokratike në Shqipëri.”
2 “Thekson rëndësinë kryesore të përfshirjes së të gjithë zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse; bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë dhe për të mundësuar një proces të qetë zgjedhor”
Uroj që deputetët e Partisë Socialiste të mos mbajnë qëndrime të dyfishta në Bruksel dhe Shqipëri.