Deputetja demokrate Albana Vokshi ripohoi qëndrimin e deputetëve të grupimit Berisha-Bardhi se nuk do lejojnë asnjë seancë parlamentare normale deri në plotësimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Po kështu ajo tha se nuk lejohen gjithashtu edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare siç është rasti i Reformës Zgjedhore.
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ajo sulmoi deputetët e grupit të Bashës duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me opozitën dhe nuk mund ta përfaqësojnë atë reformën zgjedhore.
Ajo ironizoi Bashën teksa tha se “u zgjua nga gjumi kur 47 deputetë u kërkuan largimin” dhe se “4 deputetë nuk e përfaqësojnë dot opozitën”.
“Ne kemi bërë të ditur se s’do lejojmë zhvillim normal të komisioneve, siç është dhe rasti i Reformës Zgjedhore. Të zhvillosh mbledhje online me një grup deputetesh që s’ka lidhje me opozitën, tregon se ka pozitë e jo opozitë. Opozita prej disa muajsh ka bërë një kërkesë duke arsyetuar që komisioni ka dështuar. U zgjuan nga gjumi ata që fjetën për dy vjet. Basha u zgjua nga gjumi letargjik kur 47 deputetë kërkuan ndryshimin. Si mund të jenë 4 deputetë që nuk e përfaqëson opozitën. 7×7=42 me matematikën e Ali-Bashës. 7 deputetë që s’janë opozitë, por pengje janë të përfshirë me 4 deputetë. Çfarë matematike është kjo? Matematikë e Bashës. Ne nuk lejojmë dhe nuk kemi për të lejuar një farsë. Ne kemi kërkuar që të ndryshohet përbërja se ka ende emra të ish-kolegëve.” – tha Vokshi.