Izraeli dhe Hamasi janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi të gjatë brenda dy javëve të ardhshme, ka raportuar New York Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë afër negociatave.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja mund të bëjë që Hamasi të lirojë pengjet e mbetura izraelitë në këmbim të ndalimit të sulmeve të IDF-së në Gaza për rreth dy muaj, tha gazeta të shtunën.
Sipas burimeve, një draft me shkrim që kombinon propozimet nga të dyja palët është hartuar gjatë dhjetë ditëve të fundit dhe do diskutohet në bisedimet në Paris të dielën.
Rreth 1,200 njerëz u vranë dhe rreth 240 u morën peng gjatë sulmit në Izrael nga Hamasi më 7 tetor.
Operacioni i IDF-së, i nisur në përgjigje të bastisjes, deri më tani ka parë 26,422 palestinezë të vrarë dhe 65,087 të tjerë të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Në fillim të kësaj jave, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) urdhëroi Izraelin të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar gjenocidin në Gaza.
Hamasi liroi rreth gjysmën e pengjeve gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor. Sipas autoriteteve izraelite, grupi ende mban 136 persona, ndërsa rreth dy duzina robër besohet se janë vrarë në luftime.
Marrëveshja e re e armëpushimit do ishte “më e shtrirë në kohë” se ajo e mëparshme, pohuan zyrtarët. Në fazën e parë, e cila do ndalonte armiqësitë për 30 ditë, gratë, të moshuarit dhe pengjet e plagosur do të lirohen nga Hamasi. Gjatë kësaj kohe, palët do bien dakord për një fazë të dytë, e cila do zgjaste armëpushimin edhe për një muaj në këmbim të lirimit të ushtarëve izraelitë dhe civilëve meshkuj.
Marrëveshja do shohë gjithashtu që më shumë ndihmë humanitare të arrijë në Gaza, thanë ata. Numri i palestinezëve që do lirohen nga burgjet izraelite ende nuk është negociuar, por burimet e përshkruan atë si “një çështje të zgjidhshme”.
Marrëveshja nuk do jepte armëpushimin e përhershëm që Hamasi ka kërkuar, por zyrtarët shprehën besimin e tyre se pas një pauze dymujore sulmet izraelite në Gaza do ishin më pak intensive.
Armëpushimi do sigurojë gjithashtu një dritare për diplomacinë që mund të lehtësojë një zgjidhje më të gjerë të konfliktit izraelito-palestinez, thanë ata.
Zyrtarët egjiptianë i thanë Wall Street Journal të shtunën për një plan shumë të ngjashëm të ofruar për Izraelin dhe Hamasin nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Megjithatë, ata pretenduan se armëpushimi do të ishte më i gjatë, deri në katër muaj.