Nga Enklid Milaj
“Jam i preokupuar për të krijuar kushtet që vendi të ketë një qeverisje për të përballuar vështirësitë që ka përpara dhe gjej përpara një Mariolo që hedh hije (negative) mbi imazhin e një partie të tërë”. Kështu do të shprehej publikisht Bettino Craxi, ish-kryeministër socialist i Italisë, për Mario Chiesa-n, ish-‘golden boy’ i Partisë Socialiste milaneze, pasi ky i fundit u zu me duar në thes në shkurt të vitit 1992.
Në zgjedhjet e prillit të vitit 1992, Partia Socialiste në Itali mori vetëm 13% të votave. Pak a shumë aq sa kishte marrë edhe më parë. Kurse Demokracia Kristiane 29%, me një ulje prej vetëm 5%. Në dhjetor të të njëjtit vit, prokurorët e Milanos njoftuan Craxi-n të paraqitej në prokurori i shoqëruar nga një avokat. Ky ishte vetëm fillimi. Pjesa tjetër e rrëfimit është pjesë e historisë politike bashkohore italiane.
Prokurorët në grupin e përfshirë në hetim, fillimisht, u konsideruan si heronj. Edhe Corriere dello Sport do të shpallte me shkronja të mëdha prokurorin, Antonio Di Pietro si “Sportistin e Vitit”. Ndërsa në qendër të Milanos, në Corso Buenos Aires, u shkrua me drita “Krishtlindje të mbara Di Pietro”.
Në fund të kësaj valë hetimesh dhe procesesh gjyqësore, raportet politike në Itali u përmbysën. Korrupsioni nuk u zhduk, por fenomeni i “financimit ilegal të partive” u ridimensionua duke u sofistikuar. 3,200 persona u dërguan për gjykim. 1,281 persona u dënuan. 498 persona u shpallën të pafajshëm. Pjesa tjetër u parashkrua.
Di Pietro u bë objekt i disa hetimesh që e detyruan të japë dorëheqjen, jo vetëm si prokuror, por më pas edhe si ministër. Në fund të proceseve të gjata gjyqësore, u shpall plotesisht i pafajshëm.
Një elitë e re u shfaq në jetën politike të atij vendi.
Çfarëdo lloj paraleli i hequr midis kësaj historie italiane dhe ngjarjeve të nxehta të verës shqiptare që sapo kaluam, me protagonist SPAK-un, nuk do të ishte korrekt. Kjo duke përmendur, ndër të tjera, vullnetin politik për krijimin e SPAK; kulturën e varfër të shtetit ligjor në Shqipëri; mungesën e kushteve historike të veçanta (si ishte rënia e Murit të Berlinit, në rastin e Italisë); mbikëqyrjen e rreptë apo, në disa raste, edhe oportunizmin politik të ndërkombëtareve, etj.
Por le ta lemë SPAK-un të ndjekë rrugën e vetë me urimin se do të vepronte pa frikën për të qenë, më pas i penalizuar dhe pa ëndrrën për të pasur më pas përfitime.
Në fakt, SPAK merret me aspektet penale dhe do të shohim sa do të jetë i aftë të provojë deri në fund veprat penale të kontestuara. Mbi të gjitha, përgjegjësia penale është sigurisht individuale.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë përgjegjësia para elektoratit dhe përgjegjësia politiko-administrative që buron nga çështjet e shumë përmendura.
-E para, në mënyrë sasiore, matet me rezultatet në kutitë të votimit. Shembulli i mësipërm i Italisë, të paktën për një periudhë afatshkurtër, nuk lë vend për entuziazëm. Po ashtu mjafton të kujtojmë rastin e Nikola Gruevskit, kryeministër në Maqedoninë e Veriut fqinje nga 2006 – 2016. Sa herë që kishte akuza të rënda, aq herë shkonte në zgjedhje (2006, 2008, 2012 e 2014) dhe fitonte, derisa e përmbysi skandali i madh i përgjimeve, si duket, i komanduar me regjizurë nga jashtë.
-E dyta ka një natyrë të ashtuquajtur “para-politike” ose, nëse e thjeshtojmë: “administrative”. Ushtrimi i saj nuk mund t’i kërkohet SPAK-ut; por nuk mund të mos ndikohet nga veprimet e këtij të fundit.
Ajo është përgjegjësi e atyre që kanë marrë në dorë zbatimin e politikave publike dhe si rrjedhim, mbajnë barrën dhe timonin për administrimin e çështjeve publike (res publicae).
Në rastin konkret, në veçanti, kjo përgjegjësi ka të bëjë me përqasjen ndaj dhe fatin e atyre kontratave koncesionare ekskluzive, të çfarëdolloj forme, që janë objekt i akuzave të SPAK dhe që i lejojnë privatit një marzh fitimi (sipas bilanceve formale të depozituara në QKB (Qendrën Kombëtare të Biznesit)) rreth 25-35%.
A duhet bërë një hap pas apo, në emër të parimeve, duhet të lejohen gropat thithëse të fondeve publike?
Në fakt, përqasja e racionale ndaj këtyre fenomeneve ka të bëjë jo vetëm me një analizë të kostove dhe përfitimeve në funksion të skenarëve alternativë, por edhe me zbatimin e parimeve ndërkombëtare (transnacionale) të politikave publike.
Julian Lew, themeluesi i Shkollës së Arbitrazhit Ndërkombëtar në Qendrën për Studimet e Ligjit Tregtar (CCLS), pranë Queen Mary, University of London, së bashku me Sir Roy Goode, një tjetër gjigand i ligjit tregtar, do të shkruante se politikat publike “reflektojnë standardet themelore ekonomike, ligjore, morale, politike, fetare dhe sociale të çdo Shteti apo komuniteti ndërkombëtar.” “(Ato) mbulojnë ato principe dhe standarde të cilat janë të shenjta (të rëndësishme) dhe respektimi i tyre duhet bërë me çdo kosto dhe pa përjashtime”.
Në fakt, politikat publike janë pasqyra e vlerave tona sociale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Këto vlera përbëjnë vijën e kuqe (të përcaktuar nga morali) që nuk duhet shkelur nëse pretendojmë të përpiqemi për një botë më të mirë. Madje, këto vlera janë të përbashkëta për shumicën e Shteteve dhe individëve që ndër veprojnë në nivel ndërkombëtar.
A janë marrëveshjet e përlyera me korrupsion ose abuzime përtej vijës së kuqe? A do të ishte korrekte goditja ose rishikimi i tyre në emër të mirë administrimit të politikave publike?
Patjetër, ka për të pasur mendime të ndryshme në lidhje me çfarë është përmendur më sipër. Komenti kryesor ka të bëjë me faktin që politikat publike transnacionale duket se kanë të bëjnë më shumë me aspiratat e një sistemi juridik sesa me një sistem dispozitash të detyrueshme.
Madje ka një komision të ngritur ad hoc nga International Law Association që punon në vijimësi për elaborimin dhe strukturimin e konceptit të “politikave publike transnacionale”. I njëjti parim (i politikave publike transnacionale) është njohur botërisht edhe në parimet e Unidroit 2016 (Instituti Ndërkombëtar për Unifikimin e të Drejtës Private)
Por ka edhe vendime të qarta arbitrazhi. Vlen të përmendet këtu vendimi World Duty Free Company v Kenia (ICSID Case no. ARB/00/7, 4 Tetor 2006) ku mosmarrëveshjet me natyrë tregtare të ngritura në arbitrazhin ndërkombëtar kishin si bazë një transaksion të përlyer me korrupsion.
Në rastin konkret, Gjykata e Arbitrazhit u shpreh se vendimet e gjykatave ndërkombëtare bazohen në vlera universale që përfshijnë edhe politikat publike transnacionale. Duke qenë se korrupsioni është një shkelje flagrante e politikave publike transnacionale (pra, e vlerave ndërkombëtare), Gjykata e Arbitrazhit hodhi poshtë pretendimet e palës private të ngritura në bazë të një kontrate të përlyer me korrupsion.
Sa më sipër, nuk duhet marrë si këshillë nxitëse për fillimin e aksionit për zgjidhjen e menjëhershme të kontratave për të cilat SPAK ka më tepër se dyshime të arsyeshme për korrupsion. Por është një ftesë për reflektim për shumicën qeverisëse që të marrë publikisht përgjegjësitë e saj për administrimin e këtyre kontratave, pa u ndalur tek retorika e parimeve ose pa u fshehur pas alibive të rrezikut që vjen nga arbitrazhi ndërkombëtar tregtar.
Më pas, barra e punës dhe fjalët e fundit duhet t’i takojnë teknikëve me ekspertizë ndërkombëtare dhe pa konflikte të interesave. Patjetër, një rast nuk do të ngjajë tjetrit.
Por nëse mbahet një qëndrim i tillë, ky qëndrim tregon frymë dhe vullnet, jo vetëm për të korrigjuar gabimet e mundshme, por edhe për të dëshmuar, të paktën, ndjenjën e përgjegjësisë të atyre që kanë marrë në dorë ushtrimin e këtyre politikave publike. Marrja e përgjegjësisë bën, në fakt, diferencën midis burrave të shtetit dhe kryetarëve të partive.
Në të kundërt, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ndjekim serish shfaqje. Të dëgjojmë përsëri për histori suksesi, të përmendim emrin e Mariolos së radhës dhe përgjegjësinë e tij individuale, së bashku me thellimin e gropës financiare publike, me shpresën që ndërkombëtarët, nëpërmjet SPAK-ut ose të ndonjë instrumenti tjetër të shpikur prej tyre, të nxjerrin gështenjat nga zjarri deri në shfaqjen e ardhshme sezonale.
VINI RE: Materiali është marrë nga revista Monitor, ri-botim i datës 19 Shtator 2023