Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e fermerëve, Meta nga Korça: Ballkani i Hapur shkatërroi prodhimin vendas


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta theksoi nga Korça se nisma e Ballkanit të Hapur shkatërroi prodhimin vendas, ndërsa ofroi mbështetje për fermerët që protestuan në Maliq.

“Mbështetje protestës së fermerëve të Pirgut dhe Maliqit. U bë e disata herë, i disati vit që prodhimet e tyre, që mollët e tyre, qepët, patatet e tyre nuk dalin në treg dhe djersa e tyre shkon dëm. Sepse kjo ishte loja e Ballkanit të Hapur.

Ballkanit të hapur i dështoi qëllimi për të dëmtuar Kosovën, por Ballkani i hapur pati sukses të madh për të shkatërruar prodhimin tonë vendas, sepse u shqyen të gjitha dyert për prodhimet e importeve, u hoq çdo mbështetje për fermerin tonë. Mbështetja për fermerët dhe prodhuesit në Serbi dhe Maqedoni shumë herë më e madhe, ndërsa në Shqipëri fermerët përballen me persekutime.

Fermerët ngarkohen me tatim 20% që në shitje, që është më i larti në rajon dhe më i larti në Europë, ndaj prodhimet e importit e kanë fituar garën që pa nisur. Qeveria nuk ka vullnet për të rritur tarifat doganore për produktet e importit, siç e lejon dhe marrëveshja për tregtinë e lirë, sepse kjo është një qeveri që nuk ka interes të mbështes prodhuesit dhe prodhimin. Kjo është një qeveri që u shërben oligarkëve dhe importuesve”, tha Meta.