Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në ritualin e përnatshëm: Rama kërcënoi Ahmetajn si Enver Hoxha shokët në Byronë Politike


Në ritualin e përnatshëm, kreu i Rithemelimit Berisha ka dalëë në dritaren e banesës për të mbajtur një fjalim për mbështetësit poshtë në rrugë.

Kreu i Rithemelimit që është në arrest shtëpie, u bëri hirrje qytetarëve të bashkohen kundër Edi Ramës, i cili tha ai, e ka kthyer Shqipërinë në tokë të mallkuar.

“Kjo protestë është frymëzim për çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë, pa parti, të bindjeve të ndryshme, por që beson se Shqipëria është dheu i tij, dheu i dashur i tij. Se Shqipëria është dhe i bekuar dhe jo tokë e mallkuar siç e ka shndërruar Edi Rama. Ndaj i ftoj ata të bashkohen në këtë betejë për dinjitet, në këtë betejë për liri, në këtë betejë për Shqipëri, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Kjo është ora e bashkimit, e bashkimit të shqiptarëve rreth idealeve të tyre patriotike. Por protesta juaj është frymëzim dhe shpresë për të gjithë ata socialistë, të cilët binden se Rilindja ishte përbindëshi që shkatërroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe idealet e tyre, edhe partinë e tyre. Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.” – tha  Berisha.

Ai tha më tej se Rama e kërcënoi ish-zv.kryeministrini Ahmetaj njësoj si dikatori Enver Hoxha shokët e tij në byronë politike.

“Kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zëvendëskryeministrit, se si Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste ekzakt të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë njëlloj si Enver Hoxha në Byronë Politike, armiqve të tij. Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij. Se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me ju.” – shtoi Berisha.