Asetet e ngrira të Rusisë nga Perëndimi nuk do jenë të mjaftueshme për të mbuluar dëmin që ka pësuar Ukraina për shkak të operacionit ushtarak të Rusisë, tha të premten këshilltari i lartë ekonomik i presidentit ukrainas, Oleg Ustenko.
“Nuk po flasim për shifrën prej 300-350 miliardë dollarësh të rezervave të tyre të arit dhe valutës. Sipas vlerësimeve të bëra në Kiev, bëhet fjalë për 750 miliardë dollarë humbje direkte. Nëse shtojmë humbjet indirekte, kjo mund ta rrisë shifrën në 1 trilion dollarë,” citohet të ketë thënë Ustenko.
Në mesin e vitit 2022, kryeministri ukrainas Denis Shmygal përmendi tashmë shumën që do kërkohej për të rindërtuar Ukrainën, duke e vlerësuar atë në 750 miliardë dollarë dhe duke thënë në atë kohë se burimi kryesor për fondet duhet të vinte nga “pasuritë e konfiskuara që i përkasin Rusisë dhe oligarkëve rusë”.
Presidenti Vladimir Zelensky më vonë vuri në dukje se dëmshpërblimet e nevojshme u vlerësuan në 600-800 miliardë dollarë. Në fund të vitit 2023, Ministria e Drejtësisë e Ukrainës përjashtoi mundësinë e përfundimit të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë pa marrë dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara nga konflikti.
Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë kanë kohë që po shqyrtojnë mënyra për të përdorur asetet ruse të bllokuara jashtë vendit për të rivendosur Ukrainën. Më 30 janar, vendet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje që lejonte Brukselin të transferonte të ardhurat e krijuara nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë në Kiev, por deri më tani nuk kanë shfrytëzuar vetë asetet.
Në total, BE-ja ka ngrirë 207 miliardë euro të aseteve dhe rezervave ruse që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.
Moska ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se çdo veprim që lidhet me asetet e saj nga SHBA dhe aleatët e saj do përbënte “vjedhje”, duke theksuar se sekuestrimi i fondeve ose ndonjë veprim i ngjashëm do shkelte ligjin ndërkombëtar dhe do të çonte në një përgjigje të ashpër nga Rusia.